Shkupi pritet të vendosë për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
Liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut, të dielën, pritet të vendosin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Për kërkesën e kryeministrit, Zoran Zaev, do të diskutohet në një takim të thirrur pasdite nga presidenti, Stevo Pendarovski, në të cilin do të marrin pjesë të gjitha partitë të përfaqësuara me deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev përmes një komunikate, ka përsëritur qëndrimin e kreut të saj se “Bashkimi Evropian ka bërë gabim historik në vendimin për mosdhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut”.
Prandaj, LSDM-ja vlerëson se nevojën “për zgjedhje të shpejta parlamentare për të vazhduar fuqishëm me rrugën e duhur për reforma, përparim dhe integrim…ëndrra evropiane e popullit maqedonas, shqiptar dhe të tjerëve që jetojnë në vend nuk do të prishet, prandaj nevojitet organizim i zgjedhjeve të shpejta parlamentare. Zgjedhje sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet në një njoftim me shkrim të LSDM-së.
Para takimit tek presidenti Pendarovski, ka reaguar edhe opozita maqedonase, e cila në vazhdimësi kërkon zgjedhje të parakohshme ndërsa për mosmarrjen e datës së bisedimeve sërish ka akuzuar, qeverinë e kryeministrit, Zoran Zaev.
“Zoran Zaev i ka ditët e numëruara. Po shihet fundi i bandës kriminale në krye me të amnistuarin Zaev. Po perëndon koha e tenderëve dhe granteve kriminale zhvatëse, e presioneve politike, padrejtësive dhe mosndëshkimit të krimit. Po Vjen koha kur politikanët nuk do të jenë sinonim i premtimeve të rreme dhe pritjeve të parealizueshme. Tani është koha për politikanë të ndershëm”- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Edhe partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë janë shprehur për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Bashkimi Demokratik për Integrim e gatshme për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë të zhvillimeve pas mos marrjes së datës për nisjen e bisedimeve… Këtu nuk do të doja që të ne të vendosemi në gjahtar të fajtorëve sepse është e papranueshme të pranosh një faj të pabërë. Maqedonia e Veriut është dëm kolateral i vet dallimeve brenda Bashkimin Evropian”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Aleanca për Shqiptarët në opozitë konsideron se kërkesa për zgjedhje të parakohshme është lajmi i mirë pas dështimit për marrjen e datës për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.
“Votuesit shqiptarë do të kenë mundësinë për dhënë të një legjitimitet të ri politik pasi partitë në pushtet nuk kishin kredibilitetin e duhur për ta çuar vendin drejt integrimeve evropiane. Jemi të gatshëm për zgjedhje të bindur se do të jemi forca fituese, që do të hap një perspektivë për qytetarët duke i dhënë fund politikës dy dekadëshe të BDI-së”, ka deklaruar Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.
Sipas Ligjit për qeverinë, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendi duhet të ketë një qeveri teknike, me një kryeministër të ri ndërsa në të do të merr pjesë edhe opozita e cila duhet të drejtojë dy ministri, atë për Punë të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe dy poste tjera të zëvendësministrave.
Mbetet e paqartë gjithashtu se me çfarë rregullative zgjedhore do të mbahen zgjedhjet duke marrë parasysh faktin se partitë kanë qenë duke negociuar edhe për një Kod të ri Zgjedhor për të përfshirë rekomandimet e OSBE- ODIHR-së, por edhe kërkesat për njësit zgjedhore dhe listat e hapura. /Rel/