Shmangia e detyrimeve tatimore, ATK-ja me aktivitete intensive
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në bazë të Planit të punës dhe planit për trajtimin e rreziqeve ka hartuar planin operativ të veprimit, i cili ka në fokus inspektimin e aktiviteteve ekonomike që zhvillohen nga ana e tatimpaguesve.
Plani i veprimit korrik – shtator 2021 në fokus të aktiviteteve do të ketë bizneset të cilat përmes shumë indikatorëve të riskut dalin në pah deklarimet e tyre jo të sakta, andaj sipas ATK-së do të bëhet verifikimi – korrigjimi i deklarimeve të tyre kundrejt qarkullimit/fitimit të realizuar.
Në mënyrë që ky plan të përfshijë të gjitha grupet e synuara, inspektorët tatimorë do të zhvillojnë aktivitete brenda dhe jashtë orarit zyrtar të punës, duke përfshirë dhe vikendet.
Aktivitetet e ATK-së me këtë plan do të orientohen në veprimet specifike, si identifikimi i bizneseve dhe personave fizik të cilët përmes dokumentacionit jo të saktë iu shmangen detyrimeve tatimore.
“Po ashtu, do të bëhet identifikimi dhe fiskalizimi i bizneseve të cilat nuk janë pajisur me arka fiskale si dhe ndërmarrjen e masave ndaj bizneseve të cilat janë pajisur me arka fiskale por nuk lëshojnë kuponë fiskal, identifikimi dhe trajtimi i bizneseve dhe personave fizik të cilët bëjnë nën deklarim të shitjeve (të ardhurave) si dhe nën deklarim të numrit të punonjësve dhe pagave, si dhe identifikimi i mosdeklaruesve, ndalim deklaruesve si dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera ligjore me qëllim që tatimpaguesit të bëjnë deklarimet e tyre saktë dhe brenda afateve kohore”, ka njoftuar ATK-ja.