Shoferin gjakovar e kap paniku pasi Policia e ndal për kontroll, zbulohet se po e fshehte marihuanën
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet.
Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Sinjali.
Një rast i tillë u zbulua sot në pikë të mëngjesit, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, ku një 46-vjeçar u ndalua nga Policia derisa ishte duke qarkulluar me veturën e tij.
Sinjali mëson se njësia patrulluese ka qenë duke kryer kontrolle në bazë të planit operativ “Goditja”, me ç’rast te i dyshuari kanë gjetur një sasi me substancë narkotike, e llojit marihuanë, pasi i njëjti kishte ndryshuar sjellje kur u ndalua.
Droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.