Shokët e mi në Hagë lexonin dhe stërviteshin
Nënkryetari i komunës së Skenderajt dhe ish-eprori i UÇK-së, Sami Lushtaku, dje në Qendrën e Paraburgimit të Speciales në Hagë i ka takuar ish-bashkëluftëtarët e tij që po mbahen atje.
Lushtaku tha se pati rastin t’i takojë të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së, përveç Salih Mustafës, teksa shtoi se u ndie mirë kur e pa komunikimin që ata kanë mes vete, ndërsa ndjenjën e cilësoi si të rëndë pasi, siç tha, “edhe unë e di se çka është burgu”.
“Të gjithë të tjerët pata mundësi t’i shoh dhe të bisedoj me ta dhe më erdhi mirë që ishin mirë me shëndet dhe kishin një optimizëm që unë u befasova për të mirë”.
“Unë u ndjeva tepër mirë kur i pashë ata, me komunikimin që kishin mes vete, raportet që i kishin tepër të mira e të sinqerta. Për mua ishte një ndjenjë tepër e rëndë, sepse edhe unë e di se çka është burgu”, është shprehur Lushtaku në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
I dyti i Skenderajt tha se me ish-bashkëluftëtarët pati mundësi të diskutojë në lidhje me atë se si po e kalojnë ditën, a po kanë mundësi të zhvillojnë takime, çka po lexonin e a po stërvitnin.
“Të gjithë po stërviteshin, përveç Hysni Gucatit, i cili ka probleme shëndetësore, ndërsa të tjerët ishin mirë me sport, por edhe me lexim. Marrja me aktivitete fizike u vërejt edhe në fizikun e tyre, por nuk i kam pyetur se çka ishin duke lexuar”, është shprehur Lushtaku.
Lushtaku tha se nuk ka biseduar me ish-krerët e UÇK-së për çështjen e fundit të ish-raportuesit të KE-së, Dick Marty.
“Nuk kemi biseduar fare për Dick Martyn, nuk kemi diskutuar për problemet e tjera sepse qëllimi ka qenë t’i takoj dhe t’i përshëndes, edhe pse ata me siguri i përcjellin mediet e televizionin, pra besoj se e dinë se çka ka ndodhur me rastin e Dick Martyt”, ka thënë ai.
Ai më tej tha se ndjenjat i ka pasur për të gjithë të njëjta sepse, siç tha, secili aty është mik i tij, por se nuk ka qenë e lehtë për të takimi i parë pas kaq muajve.