Shokët që e (nuk) e duan Adem Jasharin
Shkruan: Sabit Istogu
Në prag të 20-vjetorit, ditës së çlirimit të Kosovës nga okupatori shekullor famëkeq serb, Prishtina pa shtatoren e heroit legjendar Adem Jasharit.
Në kryeqytetin tonë, Prishtinën, janë ngritur disa shtatore të heronjve e të atyre që kontribuuan për këtë çlirim si shtatorja e Skënderbeut, Zahir Pajazitit, Ibrahim Rugovës, Bill Klintonit, e tash siç mësova nga mediat, po u ngritka edhe një bust i të madhes Medlin Olbrajt, ish-sekretares së shtetit Amerikan, e cila në ato vite bëri aq shumë që Kosova të jetë e lirë nga ky pushtues i egër. Madje në këtë vit jubilar, 20-vjetorin e pavarësisë, siç është njoftuar, do të vijnë edhe ish-presidenti i Amerikës Bill Klinton, dhe ish sekretarja e këtij shteti Olbrajt, dhe kjo sigurisht se është një nderë që na bëhet, por nuk do ta kemi nderin që në kryeqytetin tonë, ende nuk e ka gjetur rrugën të jetë edhe shtatorja e kryetrimit, kryeheroit, më të merituarit për këtë liri, Adem Jashari.
Në sheshin me këtë emër në Prishtinë, “shokët” e tij, (nëse vërtet i kishte shokë), nuk e bënë as më të voglën përpjekje, që shtatorja e kryeheroit tonë ta zbukuroj këtë shesh, edhe pse shumica e këtyre “shokëve”, mbanin postet më të larta shtetërore, por nuk e ndjenin përgjegjësin për këtë, duke menduar se ata vet janë Adem Jashara.
Për ironinë më të madhe, shumë nga këta “shokë”, pos në datat e kremtave historike, vijnë dhe vendosin lule tek varret e heronjve në Prekaz, sa për të ia parë dikush dhe incizuar televizionet, madje edhe japin deklarata, gjithë herë të njëjta e bajate, se ato Prekazin dhe sakrificën sublime të Adem Jasharit dhe jasharëve tjerë, do të kenë për herë frymëzim në rrugëtimin e tyre, por po del se kjo ishte dhe mbetët vetëm një demagogji e madhe e tyre. Ata, pra “shokët”, nuk e vizitojnë edhe kullën e Jasharëve, sepse e kanë humbur fytyrën për ta vizituar e qëndruar në të, nga se ajo nuk duron të tillë. Edhe pa këta, kulla e Jasharëve është dhe do të mbetët e vizituar dhe e frekuentuar gjithnjë nga qytetarët e mbarë vendit dhe trojet shqiptare, të atyre që heroizmin e të rënëve e kuptojnë si vlerë, e jo si mjet për t’u pasuruar.
Nuk e kam as më të voglin dyshim, se një ditë shtatorja e kryeheroit të Kosovës, Adem Jasharit do të vendosët edhe në kryeqytetin tonë, duke ia shtuar madhështinë dhe krenarinë kryeqytetit dhe të gjithë qytetarëve, por sigurisht se jo nga “shokët” e tij, por nga ata që do të dinë t’i vlerësojnë vlerat e lirisë dhe ndërtimit të shtetit që e deshi Adem Jashari dhe gjithë heronjtë dhe populli ynë.