Shoku i ngushtë që nuk e njoha kurrë
Nga: Matthew Parris / The Spectator
Përktheu: Agron Shala
Sapo e lexova një libër të ri të jashtëzakonshëm. Është i mikut tim të ngushtë dhe të vjetër, të cilin do ta konsideroja si një nga miqtë e mi më të mirë. Për dhjetë vjet banoi tek unë në Londër. Dhe, tani e kuptoj se nuk e kam njohur kurrë.
Në veprën “Mos më pyet për babanë”, Tom Mitchelson e përshkruan një histori jete që është krejtësisht e çuditshme për mua, si dhe tronditëse. E, megjithatë, gjëja më e çuditshme është se njoh shumë nga njerëzit aty – ose mendoja se i njihja. Babanë e tij të ndjerë, Austin, i cili ndihmoi në nisjen e “Sunday Sport”-it (tabloid – v.j.), e kam takuar dhe e kam menduar për burrë të pëlqyeshëm, nëse jo ekscentrik, të përshtatshëm për shoqëri. Doli të ketë qenë rrahësi më i tmerrshëm i gruas, gënjeshtar, pijanec dhe borxhli. Nëna e tij, të cilën e kisha takuar gjithashtu dhe që më bëri përshtypje si mirëdashëse, por i një karakteri të huaj për mua, rezulton të ketë qenë viktimë e një përbindëshi, brenda dhe jashtë strehimoreve të grave dhe dikush me qëndresë pothuajse heroike.
Dhe, vetë Tomi, të cilin dy vjet më parë do ta përshkruaja si djalë qesharak, të shoqërueshëm, të qetë dhe që nuk ia ndien për asgjë, na del të jetë burrë i torturuar, dëshmitar i skenave të tmerrshme në shtëpi, i ngacmuar seriozisht seksualisht nga një mësues i kobshëm shkolle që e kishte vënë re dëshirën e një djali 13-vjeçar për një mbrojtës dhe për mentor. I përhumbur dhe i magjepsur nga aftësia për t’u transformuar, gjë të cilën ia kishte mundësuar ky ferr i gjallë, Tomi e ktheu këtë në avantazh si kolumnist i “Daily Mail”-it, i specializuar në punë të fshehta: në fakt, në një mashtrues të mirëbesimit. “Kam kaluar vite të tëra duke e ndërtuar veten. Ndjeva se jam i jashtëzakonshëm”.
Por, të ndalemi për një moment te libri. Për herë të parë e takova Tomin kur ishte student i nivelit A në audiencën e incizimeve të “Any Questions?” (emision në BBC Radio 4 – v.j.); më shkruante pas universitetit, si i interesuar për gazetarinë. U takova me të dhe më bëri shpejt përshtypje mendja, talenti dhe personaliteti i tij. Nisi të më ndihmonte me librat që shkruaja, duke përfunduar për një dekadë si banor imi, në një dhomë sa një dollap në banesën time në Londër. Tom është krejt heteroseksual dhe miqësia jonë 20-vjeçare ka qenë e patrazuar, me asnjë gjurmë e tërheqjeje seksuale në të dy drejtimet (çuditërisht i pashëm, Tom nuk ishte kurrë tipi im), por ka qenë ndoshta më i sinqertë dhe më intim për shkak të kësaj.
Ose, kështu mendova. Kurrë nuk e tha asnjë fjalë për abuzimin prej dekadash të babait ndaj nënës së tij, për trokitjet e policëve, për netët kur si djalë i vogël u ul i tmerruar në shkallë duke e dëgjuar babanë duke bërtitur dhe nënën duken qarë, ose për mësuesin e shkollës dhe abuzimin për katër vjet me radhë ndaj tij. Mendova se ishin familje e lumtur dhe se e ka një arsimim normal në një shkollë gjithëpërfshirëse në Eseks. Dhe kur tash – tani si 40 vjeç, i lumtur i martuar me nënën e djalit që adhuron – Tom tha se kishte disa histori të këqija abuzimi, që nga fëmijëria e tij, të cilat më në fund kishte vendosur të mos i fshihte dhe se planifikon të shkruajë libër për këtë, mendove (por nuk thash) se ndoshta po i zmadhon gjërat.
Nuk më interesojnë shumë ata që rrëfehen. Gjithmonë i kam refuzuar rrëfimet e turbullta të abuzimit në familje dhe të gazetarisë së pafund tronditëse rreth pedofilisë. E di se këto gjëra ndodhin dhe nuk i miratoj fare, por asgjë e tillë nuk më kishte ndodhur. Përgjigja ime e parë ndaj raporteve të tilla ka qenë se nuk ndihmon të ndalesh në gjërat nga e kaluara ose të mendosh se problemet e tua të tashme janë që të gjithat për faktin se dikush të preku prapa kur ishe nëntë vjeç.
Megjithatë, nuk e dekurajova Tomin kur më tha për planin e tij për ta futur në kurth ish-mësuesin e tij të shkollës – në atë kohë MBE (Urdhri i Perandorisë Britanike – v.p.), kreu i një kishe dhe drejtor i një shkolle publike që ndërlidhet me britanikët, në Kazakistan – në një rrëfim. E ftonte për kafe në stacionin “St Pancras” të Londrës dhe e regjistronte fshehurazi bisedën. Në fund të fundit, ishte e vërtetë se Tom nuk mund ta publikonte ndryshe. Dhe, kur pashë e transkriptin, një kthesë ndodhi në mendjen time dhe e dija se duhej të vazhdonte.
Abuzimi në shkollë ishte (dhe doli të jetë) vetëm një pjesë e historisë së Tomit, dhe jo në të vërtetë pjesa më e tmerrshme. Më duhej të prisja që të dilte libri ta dija gjithë të vërtetën. Në bisedë Tomi e kishte prekur këtë temë. Në shtyp është shpesh e vështirë për të lexuar që donte të thoshte. Goditjet, fyerjet, përdhunimet, sëpata e ngritur mbi njërën dorë të nënës së tij (e kishte humbur tjetrën nga kanceri, si vajzë) më bënë të bërtisja përbrenda: “Po pse qëndrove me të? Pse u ktheve tek ai?” Por, ajo u kthye, Tomi i vogël dhe motrat e tij trinjake e ndiqnin. Ajo ishte, shkruan ai, “aq thellë në një vrimë sa nuk mund të shihte asgjë”.
“E ndjej betonin e trotuarit, aq të fortë në këmbët e mia me çorape. Dëgjova britma që vinin pak më poshtë rrugës. Po e tërhiqte nënën time zvarrë për në shtëpi, duke e kapur për krahu. Shikova përreth dhe pashë fqinjët që shikonin nga dritaret e veta. Një ose dy kishin dalë në rrugë. Mund të shihnin çfarë po ndodhte dhe megjithatë silleshin sikur ishte pjesë e teatrit shëtitës. Sekretet e shtëpisë sonë u derdhën në rrugë”.
Por, në fund të fundit nuk është një histori tmerri, por misteri. “Dola në mbrojtje të tij, kaq shumë herë, por edhe mund ta kisha vrarë. Isha i lidhur me të në një mënyrë që atëherë nuk e kuptoja. Do të doja të kisha qartësinë për ta urryer … por … thjesht doja të rivendosja paqen … të ndaloja atë të ndodhte. Doja ta rregulloja. Ishte miku im dhe ishte armiku im”.
Unë me të vërtetë ende nuk e kuptoj se si Tomi mund ta donte babanë, ose pse nëna e tij i merrte goditjet. Por, e di tani – sepse e njoh Tomin – se njerëzit e vërtetë nënshtrohen në jetën reale atëherë kur nuk duhet. Dhe, nëse nuk mund ta kuptoj pse, ky është problemi im. /Telegrafi/