Sholtes: Takimi Haradinaj-Markoviq, mundësi për zgjidhjen e demarkacionit
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka thënë se takimi i së martës në mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atij të Malit të Zi, Dushko Markoviq, do të jetë mundësi që të arrihet shansi për një zgjidhje të shpejtë, e cila do t’i mundësonte qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave.
“Çka do që të ndodh? Mendoj se gjërat janë relativisht të qarta. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është një prej kushteve më të rëndësishme për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës, natyrisht, përveç luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Sholtes për të përditshmen malazeze “Pobjeda”.
Sipas tij, topi tashmë është në anën e Prishtinës dhe politikanëve të Kosovës të cilët duhet të kenë dy të tretat e votave në Kuvend në mënyrë që të ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion, transmeton “Koha.net”.
Ai ka thënë se gjatë vizitës se kryeministrit malazez në Kosovë mund të ketë lëvizje përpara.
“Mund të arrihet edhe ndonjë zgjidhje tjetër që do të mund të çonte në zhbllokim në Kuvendin e Kosovës, ndonjë formulë e dytë apo e tretë përmes së cilës do të zgjidhej çështja e demarkacionit të kufirit. Por, për këtë mund të flasim pas takimit mes dy kryeministrave”, ka theksuar Sholtes.
Ai shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejtë, sepse, siç ka thënë ai, është e papranueshme që Kosova të jetë e vetmja shoqëri nga rajoni qytetarët e së cilës nuk e gëzojnë këtë të drejtë.
“Mendoj se për qytetarët e Kosovës ky është një prej prioriteteve më të rëndësishme”, ka thënë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes.