Shoqata Atdhetare ‘Kosova’ e ndihmoi Kosovën me miliona marka
Kryetari i Shoqatës Atdhetare Gjermano-Shqiptare “Kosova”, Avdi Fejzaj, ka bërë me dije se para luftës dhe gjatë luftës ka ndihmuar Kosovën përmes kësaj shoqate me mijëra tona ndihma dhe miliona marka gjermane. Ai ka treguar se këtë e ka arritur falë përkrahjes së madhe të mërgatës shqiptare dhe disa organizatave humanitare gjermane. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Fejzaj ka përmendur edhe shifra se sa ka qenë ndihma që kjo shoqatë i ka ofruar Kosovës. “Në bazë të faturave dhe llogaritjeve tona, shuma e ndihmave që kemi ofruar si shoqatë me ndihmën e donatorëve ka qenë rreth 16 milionë marka gjermane”, ka thënë Fejzaj.
Humanisti Fejzaj ka folur edhe për ndihmën financiare që kjo shoqatë ka grumbulluar për luftën çlirimtare në Kosovë. “Në atë periudhë të rend për vendin tonë, Shoqata Gjermano-Shqiptare, në një prej mbledhjeve të kuvendit të vet, ka marrë vendim që ta ndërmarrë aksionin për grumbullimin e mjeteve financiare për UÇK-në, për ta ndihmuar luftën e saj. Kështu që, përmes Fondit të Republikës së Kosovës, brenda gjashtë muajve, kemi arritur t’i mbledhim dhe t’i destinojmë për UÇK-në 1.5 milion marka. Kjo ka ndodhur në shkurt të vitit 1999”, është shprehur Fejzaj.
Më tej, ai ka shpalosur gjithë dokumentacionin e hyrjeve dhe daljeve të ndihmave të destinuara për Kosovë gjatë luftës. “Ne e kemi mbështetur Shoqatën e ish të Burgosurve Politikë në Kosovë me vlerë prej 400 mijë markash gjermane. Është ndihmuar me mjete të grumbulluara financiare edhe ‘Dardania Bankë’ në Tiranë, ndërsa rreth 100 mijë marka janë ndarë për nevoja emergjente. Janë dhënë mjete materiale të gatshme edhe për Universitetin e Prishtinës, ndërkohë Unionit të Studentëve i është ndarë ndihma financiare prej 25 mijë markash, sikurse që është ndihmuar edhe Fakulteti i Mjekësisë me 48 mijë marka. Të gjitha këto shifra që po i përmendi i kam të dokumentuar këtu, ku vetë përfaqësuesit e universitetit, të studenteve dhe ish të burgosurve politikë na i kanë konfirmuar me shkrim se i kanë pranuar”, ka deklaruar ai.
“Epoka e re”: Z. Fejzaj, kur ka filluar veprimtarinë Shoqata Bamirësie Atdhetare Gjermano-Shqiptare me seli në Olsberg të Gjermanisë, të cilën e udhëhiqeni?
Fejzaj: Në vitin 1995 ka filluar veprimtarinë humane e bamirëse Shoqata Atdhetare Gjermano-Shqiptare “Kosova” me seli në Olsberg të Gjermanisë, për ta vazhduar aktivitetin edhe pas çlirimit të Kosovës. Aktivitetin më të dendur kjo shoqatë e ka zhvilluar gjatë kohës së luftës në Kosovë.
“Epoka e re”: Si iu përgjigj aktivitetit të kësaj shoqate mërgata shqiptare?
Fejzaj: Mërgata shqiptare e ka mirëpritur aktivitetin tonë, duke u bashkuar në grumbullimin e ndihmave gjithandej Evropës, pa dallime partiake, fetare apo grupe të tjera. Të gjitha ndihmat që i grumbullonin degët dhe nëndegët i depononim në depon e selisë së shoqatës në Olsberg të Gjermanisë duke bashkëpunuar edhe me Caritasin Internacional të Vjenës.
“Epoka e re”: Kur filluat t’i nisni ndihmat e para për Kosovë dhe, pos mërgatës shqiptare, kush tjetër ju mbështeste?
Fejzaj: Nga 15 janari i vitit 1996 ndihmat filluan të shkonin në qendrën e Shoqatës “Nëna Tereza” në Prishtinë. Kjo periudhë zgjati dy vjet, deri në mars të vitit 1998. Sipas dëshmive të dokumentacionit dhe faturave me numra, totali i përgjithshëm i ndihmave ishte 580 tonë, ndërsa vlera e kësaj ndihme ishte 6 milionë e 200 mijë marka gjermane. Donatore kryesore e këtyre ndihmave fillestare ishte Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste, Diagonia-Socialo-Caritaset e qytetarëve, Kryqi i Kuq gjerman dhe mërgata shqiptare në gjermani. Të gjithë këta donatorë kanë qenë bashkëpunëtorë të Shoqatës Gjermano-Shqiptare. Pastaj, gjendja e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku pjesa dërrmuese e popullatës u zhvendos në Shqipëri, bëri që kjo shoqatë ta vazhdojë aktivitetin human e bamirës në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, në bashkëpunim me shoqatën vendëse të Tiranës “Ulpiana”.
“Epoka e re”: Me çfarë i ndihmonit të zhvendosurit në Shqipëri?
Fejzaj: Gjatë viteve 1998-1999 popullata është ndihmuar me 14 maune me artikuj ushqimorë, veshmbathje dhe artikuj të tjerë. Në ndërkohë është ndihmuar edhe Shqipëria nga Shoqata Gjermane “Allgemeine Soziale Beratung” nga Briloni. Ndihmat me artikuj ushqimorë ishin 120 tonë, medikamente dy ton,ë derisa ato ndihma i kemi dërguar në Kryqin e Kuq të Shqipërisë përmes Caritasit Internacional të Vjenës. Donatorët që ndihmonin me mjete materiale dhe financiare ishin edhe institucionet humanitare gjermane. Ndërsa për transportin e ndihmave kontribut të veçantë ka dhënë Caritasi i Vjenës, që ishte i njohur për transportin e ndihmave humanitare në Shoqatën “Nëna Tereza” në Prishtinë.
“Epoka e re”: Ju edhe financiarisht keni ndihmuar disa institucione dhe luftën e UÇK-së. A mund të na flisni pak për këtë çështje?
Fejzaj: Natyrisht. Ne kemi mbështetur Shoqatën e ish të Burgosurve Politikë në Kosovë me vlerë prej 400 mijë markash gjermane. Është ndihmuar me mjete të grumbulluara financiare edhe ‘Dardania Bankë’ në Tiranë, ndërsa rreth 100 mijë marka janë ndarë për nevoja emergjente. Janë dhënë mjete materiale të gatshme edhe për Universitetin e Prishtinës, ndërkohë Unionit të Studentëve i është ndarë ndihma financiare prej 25 mijë markash, sikurse që është ndihmuar edhe Fakulteti i Mjekësisë me 48 mijë marka. Të gjitha këto shifra që po i përmendi i kam të dokumentuar këtu, ku vetë përfaqësuesit e universitetit, të studentëve dhe ish të burgosurve politikë, na i kanë konfirmuar me shkrim se i kanë pranuar këto shuma të të hollave.
“Epoka e re”: Po për UÇK-në, sa të holla keni dërguar?
Fejzaj: Në atë periudhë të rëndë për vendin tonë, Shoqata Gjermano-Shqiptare, në një prej mbledhjeve të kuvendit të vet, ka marrë vendim që ta ndërmarrë aksionin për grumbullimin e mjeteve financiare për UÇK-në, për ta ndihmuar luftën e saj. Kështu që, përmes Fondit të Republikës së Kosovës brenda gjashtë muajve kemi arritur t’i mbledhim dhe t’i destinojmë për UÇK-në 1.5 milion marka. Kjo ka ndodhur në shkurt të vitit 1999. Për këtë kontribut e falënderoj Zotin që na e ka dhënë këtë mundësi dhe gjithë ata të cilët kanë kontribuar në aspektin financiar për ta ndihmuar UÇK-në në ato ditë të vështira. Unë e kisha fatin ta udhëheq një shoqatë humanitare në kuadër të Caritasit gjerman në ato vite.
“Epoka e re”: Keni llogaritur ndonjëherë se sa ka qenë vlera financiare e ndihmës që keni dhënë?
Fejzaj: Në bazë të faturave dhe llogaritjeve tona, shuma e ndihmave që kemi ofruar si shoqatë me ndihmën e donatorëve ka qenë rreth 16 milionë marka gjermane.
Muhamet KOCI