Shoqata Bamirëse “Bereqeti” merr përsipër renovimin e pesë shtëpive në Mitrovicë
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka pritur të mërkurën në takim drejtorin e Shoqatës Bamirëse “Bereqeti”, Behxhet Ajvazi, sekretarin e kësaj shoqate, Xheladin Fazliu, si dhe koordinatorët e shoqatës në Mitrovicë, Cena Bala dhe Armend Haxhiu.
Në këtë takim është biseduar lidhur me situatën në komunë pas vërshimeve dhe për dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.
Kjo shoqatë e cila funksionon në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës duke parë situatën e krijuar pas vërshimeve në Mitrovicë, ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë komunën me renovimin e pesë shtëpive për familjet e prekura nga vërshimet.
Po ashtu Shoqata Bamirëse “Bereqeti” së bashku me shoqatën “Swiss Bereket” me seli në Zvicër do të bëjnë shpërndarjen edhe të 30-35 pako ushqimore dhe higjienike dhe nga një zarf në vlerë 40 euro për këto familje.
Kryetari Hamza ka falënderuar Shoqatën “Bereqeti” dhe stafin e saj për ndihmën dhe solidaritetin e treguar ndaj familjeve që kanë pësuar dëme të shumta në shtëpitë e tyre nga vërshimet.