Shoqata “Bereqeti” vazhdon të ndihmojë familjet në nevojë
Shoqata humanitare “Bereqeti” organ i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës edhe në këto ditë të ftohta dimri vazhdon të jetë në krahë dhe ndihmë familjeve në nevojë.
Dega e “Bereqetit” në Prizren ka njoftuar se janë duke bërë furnizimin e familjeve në nevojë me veshmbathje edhe gjatë këtij sezoni dimëror.
Kurtish ef. Hoxhaj, koordinator i “Bereqetit” në degën e Prizrenit ka thënë se nevojat janë më të mëdha se mundësitë e tyre, por janë duke u munduar që t’u dalin në ndihmë familjeve më me nevojë gjatë këtyre ditëve të ftohta dimri. “Vetëm gjatë këtyre ditëve kemi ndihmuar 13 familje me veshmbathje, jorganë dhe artikuj ushqimor”, ka bërë me dije Hoxhaj.
Ai ka falënderuar po ashtu donatorët nga vendi dhe diaspora të cilët kanë ndihmuar dhe përkrahur aktivitetet e “Bereqetit” në Prizren të cilët janë të shumtë.
“Gjatë aktivitetit të vitit të kaluar “Bereqeti” në këtë komunë ka ndihmuar mëse 3 000 familje me gjëra ushqimore, veshmbathje, pako higjienike e gjëra tjera të nevojshme dhe ka rregulluar, lyer katër shtëpi. Krahas këtyre ndihmave ka furnizuar mbi 50 familje me dru për ngrohje, shporet, stufa, frigorifer, sado pak për tua lehtësuar jetën familjeve me nevojë që ta përballojnë këto ditë të ftohta dimri. Mbi 1500 fëmijë ka arritur t‘i gëzoj me dhurata e lodra për festa dhe janë 450 nxënës të cilët kanë përfituar çanta dhe pajisje tjera shkollore. Po ashtu gjatë vitit që sapo lamë pas Bereqeti dega në Prizren ka vizituar mbi 20 institucione publike si shkolla, shoqata, OJQ duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e saj”, ka treguar Hoxhaj.
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” po ashtu ka njoftuar se të gjitha familjet të cilat kanë nevojë për veshmbathje që të lajmërohen në zyrën e Shoqatës Humanitare “Bereqeti” e cila gjendet në rr. Fatmir Berisha (te Xhamia e Re afër tregut në lagjen Bajram Curri).
“Bereqeti” po ashtu ka premtuar se do të ndihmojë familjet më me nevojë edhe gjatë këtij viti dhe fton bamirësit deh donatorët të shtrijnë dorën që edhe shtresa tjetër e shoqërisë të ketë kushte dhe jetë të dinjitetshme.
/Epoka e re/