Shoqata e Bankave organizon aktivitete në “Javën Ndërkombëtare të Parasë”
Shoqata e Bankave të Kosovës (ShBK), në kuadër të aktiviteteve të saja edukativo-financiare do të organizoj programin e Javës Ndërkombëtare të Parasë 2019 me temë “MËSO, KURSE, FITO”, ku nga data 25 mars do të bëjë shpërndarjen e pakove me materiale edukative për fëmijë.
“Nga data 25 mars, Shoqata e Bankave të Kosovës do të bëjë shpërndarjen e pakove me materiale edukative për fëmijë në tetë (8) komuna të Kosovës përfshirë Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë, Istog, Podujevë dhe Vushtrri. Në këto tetë (8) komuna janë përzgjedhur shkollat fillore ku do të ligjërohet në 16 klasë për nxënës të klasës së katërt dhe pestë, me një pjesëmarrje prej 1440 nxënësve”, është thënë në njoftimin e ShBK-së.
Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija, ka thënë se “Me këto aktivitete, Shoqata e Bankave të Kosovës synon që të angazhoj fëmijët dhe të rinjtë për të mësuar më shumë për financat, duke përfshirë këtu kursimet, menaxhimin e parasë, menaxhimin e financave personale etj. Këto aktivitetet mbështeten dhe financohen nga bankat komerciale te Kosovës të cilat kanë për qëllim që të fuqizojnë shoqërinë përmes edukimit financiar”.
“Gjatë kësaj jave fëmijët do të kenë aktivitete të ndryshme, si plotësimin e librit te kursimeve, punime dore dhe vizatime në lidhje me paratë dhe kursimet. Shoqata e Bankave te Kosovës ka përgatitur udhëzuesit për mësimdhënësit në mënyrë që ta zbatojnë pakon edukative. Nxënësit do të punojnë në librin e kursimeve, përmes se cilave kanë për të shprehur idetë e tyre rreth rëndësisë së menaxhimit të parave, planifikimet e tyre për kursimet si dhe menaxhimin e parasë për të ardhmen. Pjesë e paketës së edukimit është edhe një donacion i materialeve shpenzuese për fëmijët si fletore, lapsa dhe goma të cilat mund të shfrytëzohen edhe për nevoja të përgjithshme arsimore”, thuhet në njoftimin e ShBK-së.
Sipas këtij njoftimi, në kuadër të Edukimit Financiar dhe fushës së kursimeve më qëllim të ndërgjegjësimit të fëmijëve, nxënësve dhe të rinjve në përgjithësi, çdo vit në 169 vende të botës organizohet fushata e njohur ‘“Java Ndërkombëtare e Parasë”. Kjo javë këtë vit do të mbahet me datat 25 deri me 31 mars me moton “Mëso, Kurse, Fito”.Qëllimi kryesor i shënimit të kësaj jave është fuqizimi i gjeneratave të reja dhe të rrisë vetëdijen në lidhje me financat personale. Organizata ‘Të rinjtë, fëmijët dhe financat ndërkombëtare “ (Child And Youth Finance International) është bartëse e këtyre aktiviteteve në gjithë botën, ku anëtare në këtë organizatë është Shoqata e Bankave të Kosovës tash e disa vite”, thuhet në njoftimin e ShBK-së.