Shoqata e Bankave të Kosovës mbajti konventën vjetore
Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK), ka mbajtur të premten konventën vjetore në në Prishtinë.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Shoqatës së Bankave në Kosovë, Albert Lumezi me këtë rast ka përshkruar vitin që po lëmë pas me tri karakteristika kryesore sektorin bankar: vit të rritjes së kreditimit dhe qasjes në financa, vit të rritjes së qëndrueshmërisë të sektorit bankar dhe vit i ndryshimeve dinamike dhe i sfidave të reja me të cilat ballafaqohet ky sektor.
Lumezi ka deklaruar se kjo normë mesatare për kredi, vendos Kosovën në mesataren e vendeve të rajonit të Ballkanit perëndimor dhe si e tillë reflekton edhe me kushtet e ngjashme e të bërit biznes.
Sipas tij, mund të bëhet edhe më shumë, dhe s’do të ndalen me kaq për mundësi të reja për të rritur edhe më shumë kreditimin, në veçanti te bizneset e vogla dhe të mesme, por sipas tij, për këtë kërkohet edhe adresimi i barrierave të ndryshme për afarizmin më efikas të bankave siç është çështja e efikasitetit të sistemit gjyqësor apo zbatimit të kontratave, reduktimi i informalitetit, digjitalizimi i ekonomisë dhe reduktimi i pasigurisë juridike të investitorëve përmes harmonizimit të legjislacionit me atë të bashkimit evropian. “Për t’u ndërlidhur me karakteristikën e parë të këtij viti, rritjen e kreditimit të sektorit bankar, mund të them pa hezitim se rezultatet ishin të jashtëzakonshme pas një ngadalësimi të dukshëm të kreditimit që u shënua në vitin 2013, sektori bankar ka arritur një kthesë të madhe në këtë drejtim duke shënuar rritje dy shifrore në pesë vitet e fundit. Ky trend pozitiv po vazhdon edhe në vitin vijues. Kjo rritje në qasje në financa është arritur falë angazhimit dhe përkushtimit tonë të përbashkët si komunitet bankar. Kjo rritje në kreditim është përcjellë me zvogëlim të mëtutjeshëm të kredive jo performuese dhe me një rënie të dukshme në normat e interesit për kredi, ku bankat kanë arritur të ulin normat e interesit për kredi në një mesatare prej rreth 6 për qind, përderisa vetëm pesë vite më parë norma mesatare efektive ishte dy shifrore”, deklaroi Lumezi.
Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovë, Petrit Balija, ka thënë se jo rrallë herë agjenda politike është ajo që dominon në opinion e gjerë publik dhe puna e madhe që bëhet nga bankierët mund edhe të mos ketë vëmendjen e duhur të shoqërisë.
Ai theksoi se rezultatet e punës së bankave komerciale janë më se të prekshme për shoqërinë kosovare. “Ju jeni ata që mundësoni që një familje të ketë qasje në kapital, p.sh, për renovimin e banimit, apo që një qift i ri të ketë mundësinë që të bëhet me kulm mbi kokë. Ju jeni ata që e bëni të mundur që një biznes të ketë qasje në financa për të rritur afarizmin e tyre dhe për të rritur cilësinë në shërbime. Bankierët janë ata që ruajnë depozitat e qytetarëve dhe këshillojnë ata në mirëbesim. Prandaj, puna që bëhet në sektorin bankar është punë që i sjell dobi të mëdha kësaj shoqërie, por ne nuk vetëkënaqemi me kaq dhe vazhdojmë të angazhohemi për të rritur kujdesin ndaj klientit dhe për të rritur qasjen në financa. Në këtë drejtim Bordi i Shoqatës së Bankave ka aprovuar edhe Kodin e Praktikës Bankare, një Kod i cili do të hyjë në fuqi sot”, u shpreh Balija.
Ai shtoi se sektori bankar edhe këtë vit ka qenë stabil, duke perfomuar një fitim të mirë si dhe stabilitet në likuiditet, andaj sipas tij, edhe vitet e ardhshme pritet të ketë rritje të kreditimit për bizneset dhe qasje më të madhe financiare. “Sipas parametrave ose parashikimeve fitimi i bankave për këtë vit do të jetë i ngjashëm me vitin e kaluar. Afër 80 milionë euro për sektorin bankar në tërësi, ndërsa në vend janë 10 banka, kështu që nëse ndahet kjo, i bie diku 7-8 milionë euro për secilin institucion bankar. Kjo e siguron që bankat të kenë mundësi të afarojnë në mënyrë stabile dhe të jenë të kapitalizuara mirë. Edhe për neve si shoqatë është një indikator i mirë që ta kemi një sektor bankar stabil dhe pa telashe”, ka deklaruar ai.
Anëtari i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Arton Celina i cili udhëhoqi diskutimin në panelin “Potenciali i sektorit bankar në Kosovë: sfidat dhe mundësitë”, tha se digjitalizimi i shërbimeve bankare mbetet një prej synimeve në vazhdimësi të bankave komerciale. “Tema interesante, akute në ditët e sotme është digjitalizimi i shërbimeve bankare. Interesi jonë sot është që komuniteti bankar të njihet nga këndvështrime të ndryshme për këto tema, në mënyrë që këto të avokohen dhe lobohen në mënyrë efektive në mbarë shoqërinë”, ka thënë Celina.
Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli që ishte pjesë e këtij paneli tha se sektori i bankar në Kosovë është storie suksesi bazuar në shifrat e publikuara nga Shoqata e bankave.
Ai ka thënë se duhet të ketë zhvillime të mëtutjeshme për zgjidhjen e çështjes POS-ave si dhe avancimi i mëtejmë për qasje në financa. “Përtej kësaj, mendoj se ka çështje të cilat duhet të zhvillohen. Njëra prej tyre është qasja në kredi, pronësia e llogarive. Ne kemi dëshmi të fuqishme se individët, në veçanti të varfrit, gratë përfitojnë nga posedimi i një llogarie bankare. Kjo është dëshmi nga e tërë bota. Pra, të kesh një llogari bankare bëhet një farë lloj shenjëstrimi për përfshije financiare në një institucion bankar, siç është Banka Botërore. Pra, banka lehtëson transferimin e remitencave dhe pagës”, deklaroi Mantovanelli.
Robert Wright, nënkryetar i Shoqatës së Bankave në Kosovë në këtë konventë ka paraqitur të dhënat performuese të sektorit bankar në Kosovë, i cili veçoi se kreditë e këqija shënojnë nivelin më të ulët, prej rreth 2.2 për qind, që është niveli më i ulët në rajon. Në fund, Konventa vjetore e Shoqatës së Bankave të Kosovës, u vlerësua si frytdhënëse ku janë adresuar mjaft tema për qasje në llogari bankare në kushte më të mira dhe më të përshtatshme.