Shoqata e fermerëve dhe e qumështarëve mirëpresin vendimin e MTI-së
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), me qëllim të vazhdimit të mbrojtjes së prodhimit vendor, që është prioritet, pas një hetimi të departamentit përkatës, ka marrë masa mbrojtëse për qumështin, duke u bazuar në kompetencat ligjore si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-s.
Ndërkohë, Shoqata e fermerëve dhe e qumështarëve mirëpritën vendimin e MTI-së. “Lajmi i sotëm që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur masë të përkohshme mbrojtëse për importin e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, është një ndër lajmet më të mira që kanë ndodhur në sektorin tonë në vitet e fundit. Ne kemi ngritur disa herë zërin ndaj pabarazisë së tregtisë mes Bosnjës dhe Kosovës dhe jemi të gëzuar që zëri jonë më në fund është dëgjuar. Falënderojmë këtë ministri për angazhimin që ka treguar kohëve të fundit në këtë drejtim dhe presim edhe vendime tjera me qëllim mbrojtjen e produkteve vendore të qumështit. Me këtë rast u bëjmë thirrje edhe institucioneve tjera përgjegjëse për rregullimin dhe kontrollin e tregut që të kryejnë obligimin e vet ligjor dhe të na krijojnë hapësirë për punë”, thuhet në njoftimin e tyre.