Shoqata e Invalidëve të Luftës, e pakënaqur me udhëzimin administrativ për lehtësimet doganore e tatimore për invalidët e luftës
Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së përmes komunikate për media ka reaguar në lidhje me ndryshimet e bëra në Udhëzimin Administrativ MF-NR.03/2019 për procedurat e realizimit të të drejtave në lehtësimet doganore dhe tatimore për invalidët e luftës.
Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, e cila drejtohet nga kryetari Fadil Shurdhaj, ka theksuar se është e pakënaqur me ndryshimet e bëra në këtë udhëzim administrativ.
“Udhëzimi Administrativ i hartuar nga Ministria e Financave nuk ka bërë asnjë lehtësim për invalidët e luftës së UÇK-së dhe kjo dëshmohet me nenin 7 ku parashihet dëshmimi i statusit të invalidit të luftës në paragrafin 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.4 në të cilën kërkohet që invalidi i luftës të posedojë patentën e shoferit për të përfituar lehtësimet doganore dhe tatimore për automjete. Kjo dispozitë ligjore e nenit 7 është diskriminuese dhe shkel vazhdimisht rëndë të drejtat e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, pasi që Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së ka 70 anëtarë me shkallën e invaliditetit mbi 81 për qind, çka do të thotë se janë të paaftë për t’u pajisur me patentshoferë, janë të paaftë për vozitje dhe kanë përcjellës të cilët paguhen nga Qeveria e Republikës së Kosovës për t’u kujdesur dhe për të përcjellë invalidët”, është thënë në reagimin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së.
Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së ka bërë me dije se do të vazhdojnë procedurat ligjore për shfuqizimin e këtij udhëzimi administrativ, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e protestës.
Reagimi i plotë i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së:
Ne si Shoqatë e Invalidëve të Luftës së UÇK-së jemi të pakënaqur me ndryshimet e bëra në Udhëzimin Administrativ MF-NR.03/2019 për procedurat e realizimit të të drejtave në lehtësimet doganore dhe tatimore për invalidët e luftës.
Udhëzimi Administrativ i hartuar nga Ministria e Financave, nuk ka bërë asnjë lehtësim për Invalidët e Luftës së UÇK-së dhe kjo dëshmohet me nenin 7 ku parashihet dëshmimi i statusit të invalidit të luftës në paragrafin 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.4 në të cilën kërkohet që invalidi i luftës të posedojë patentën e shoferit për të përfituar lehtësimet doganore dhe tatimore për automjete.
Kjo dispozitë ligjore e nenit 7 është diskriminuese dhe shkel vazhdimisht rëndë të drejtat e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, pasi që Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së ka 70 anëtarë me shkallën e invaliditetit mbi 81 për qind, çka do të thotë se janë të paaftë për tu pajisur me patentë shofer, janë të paaftë për vozitje dhe kanë përcjellës të cilët paguhen nga Qeveria e Republikës së Kosovës për tu kujdesur dhe për të përcjellë invalidët.
Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së disa herë ka dorëzuar kërkesa në Ministrinë e Financave që të ndryshohet kjo dispozitë ligjore dhe të hiqet kushtëzimi diskriminues që ka të bëjë me patentë shofer për Invalidët e Luftës së UÇK-së, pasi që në këtë shoqatë ka anëtar që janë të verbër në të dy sytë, kanë të amputuara duart dhe këmbët dhe e kanë të pamundshme pajisjen me patentë të shoferit për shkak të paaftësive fizike si rezultat i luftës për lirinë e vendit tonë.
Kemi kërkuar qe invalidi pas 5 vite që ka përdorur automjetin të ketë të drejtën e tjetërsimit dhe të lirohen nga të gjitha detyrimet doganore.
Invalidi i cili nuk jeton me automjetin e tij ta shfrytëzojnë anëtarët e ngushtë të familjes sipas ligjit L 04/054.
Shoqata është e pakënaqur edhe me dispozitën e nenit 9 të Udhëzimit Administrativ pasi që Invalidëve të Luftës së UÇK-së u bëhen ndalesa për tjetërsimin dhe huazimin e mallrave të liruara nga detyrimet e importit, duke përfshirë ndalesën që të huazohen, të jepen me qera apo të transferohen te persona tjerë pa e informuar Doganën e Kosovës.
Këto dy dispozita i përjashtojnë shumicën e anëtarëve të Shoqatës sonë që të përfitojnë të drejtat në lehtësime tatimore dhe doganore që janë të parapara për invalidët e luftës pasi që shumica janë të paaftë që vetë personalisht të vozisin dhe të pajisen me patentën e shoferit e që detyrimisht kanë nevojë për ndihmë nga anëtarët e familjes e që nënkupton edhe të drejtën që t’i vozisin automjetet e tyre me autorizim (Bashkëshortja, djali,vajza) për nevoja të Invalidit të Luftës së UÇK-së .
Padyshim që dispozitat e cekura dhe dispozitat e tjera të këtij Udhëzimi Administrativ, duke përfshirë edhe emrin e tij si ‘Udhëzim Administrativ MF-NR.03/2019 për Procedurat e Realizimit të të Drejtave në Lehtësime Doganore dhe Tatimore për Invalidët e Luftës’ duke mos përmendur emrin e UÇK-së, paraqesin diskriminim dhe shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut e në mënyrë të veçantë të invalidëve të luftës pasi që ky Udhëzim Administrativ ka të bëjë me kategorinë e pjesëtarëve të UÇK-së që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, kanë derdhur gjak dhe kanë humbur gjymtyrët e tyre dhe pikërisht për këto arsyeje meritojnë trajtim të dinjitetshëm nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, e në mënyrë të veçantë nga ana e Ministrisë së Financave.
Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së i bënë thirrje publike Presidentit të Republikës së Kosovës, Zt. Hashim Thaçi, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Zt. Kadri Veselit dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Zt. Ramush Haradinaj që të angazhohen urgjentisht për pezullimin e këtij Udhëzimi Administrativ, si dhe për heqjen e këtyre dispozitave diskriminuese që parashihen me nenin 7 dhe 9 të këtij Udhëzimi Administrativ, si dhe të formohet një komision ndërqeveritar në të cilin duhet të jetë e përfshirë edhe Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, për nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Realizimit të të Drejtave në Lehtësime Doganore dhe Tatimore për Invalidët e Luftës së UÇK-së.
Ne si Shoqatë publikisht njoftojmë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës si Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe Ministrin e Financave Bedri Hamzën se ky Udhëzim Administrativ është i papranueshëm për Invalidët e UÇK-së sepse nuk paraqet asnjë lehtësim doganor dhe tatimor ashtu siç përpiqet ta paraqesë Ministria e Financave por në fakt më tepër është një akt kufizues i të drejtave tona.
Ne do të vazhdojmë procedurat ligjore, për shfuqizimin e këtij Udhëzimi Administrativ, por nuk do të përjashtojmë mundësin e protestimit kundër diskriminimeve që janë duke na u bërë neve, Invalidëve të Luftës së UÇK-së nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ministrit Bedri Hamëza përmes këtij Udhëzimi Administrativ se kinse ka të bëjë me lehtësime e në fakt vetëm sa ka vështirësuar realizimin e të drejtave të cilat u takojnë Invalidëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prishtinë, 12.07.2019
Kryetari i ShIL të UÇK-së,
Fadil Shurdhaj