Shoqata e Naftëtarëve: Nuk do të importojmë derivate të naftës nga Serbia
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije se kjo shoqatë e mbështet vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës.
Ai ka thënë se Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve, garanton se nuk do të importojë asnjë litër derivate të naftës nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Ne si shoqatë mbështesim taksën prej 100% që u është vënë mallrave të Republikës së Serbisë dhe atyre të Bosnje Hercegovinës. Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve, solidarizohet me këto masa dhe garanton se nuk do të importojë asnjë litër derivate të naftës nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Vlerësojmë lartë masat e marra nga Qeveria dhe i mbështesim ato”, është thënë në komunikatë.
/Epoka e re/