Shoqata e të Burgosurve Politik do t’i botojë veprat e Adem Demaçit
Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi është mbajtur një akademi përkujtimore. Në këtë akademi është thënë se Demaçi mbetet një nga figurat më të ndritshme të kombit shqiptar.
Shoqata e të Burgosurve Politik në këtë përvjetor ka bërë me dije se do t’i botojë veprat e Adem Demaçit në 40 vëllime, për të dëshmuar se Baca Adem nuk ka vdekur.
Profesor Ahmet Qeriqi në këtë akademi ka folur rreth jetës dhe veprës së veprimtarit Adem Demaçi, për të cilin ka thënë se mbetet një shembull i sakrificës shqiptare për liri e bashkim.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, ka thënë se Adem Demaçi bashkonte në mënyrë shembullore veprimtarin atdhetar, humanistin, njeriun e mirë me intelektualin dhe shkrimtarin e vërtet.
Në anën tjetër, ish i burgosur politik, Selatin Novosella, duke folur për jetën e Adem Demaçit, ka thënë se ai i kishte udhëhequr në rrugën drejtë lirisë për Kosovën.
Ai ka bërë me dije se veprat e Demaçit nga Shoqata e të Burgosurve Politik do të botohen në 40 vëllime. Sot në një vjetorin e vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi janë bërë homazhe tek varri i tij dhe është bërë vënia e gurëthemelit për shtatoren e tij./Kosovapress/