Shoqata e të Burgosurve Politikë mbështet lulëkuqen për simbol të gjenocidit në Kosovë

03 janar 2023 | 18:35

Shoqata e të Burgosurve Politikë ka mbështetur lulëkuqen për simbol të gjenocidit në Kosovë.

Në një deklaratë, kjo shoqatë thekson se nismën për përdorimin e lulëkuqes si simbol të gjenocidit e vlerësojnë të qëlluar dhe si të tillë e përkrahin.

“Ne, të burgosurit politikë, kemi arsye shtesë për përkrahjen e propozimit për përzgjedhjen e lulëkuqes si simbol të gjenocidit mbi shqiptarë., sepse për përpjekjet e  luftën e pareshtur të shumë e shumë brezave   për lirinë e pavarësinë e popullit tonë, nga regjimi jugosllav, prej vitit 1944 deri qershor të vitit 1999, shqiptarët janë dënuar me  6.667 shekuj burg.  Për arsyet e cekura,  veçmas duke pasur parasysh shtrirjen kohore dhe gjeografike të gjenocidit serb mbi shqiptarët, konsiderojmë se në vend të togfjalëshit terminologjik Gjenocidi në Kosovë, duhet të jetë  Gjenocidi mbi shqiptarë, ndonëse termi gjenocid është i pas LDB-së. Përpos simbolit, ka bazë të përcaktohet edhe DITA E PËRKUJTIMIT TË GJENOCIDIT, e cila do të futej në kalendarin shtetëror, si porosi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm se duhet të jenë gjithmonë kundër krimeve të çfarëdo natyre qofshin. Si ditë e tillë do të mund të ishte dita e vrasjes me artileri të rëndë e fëmijëve të Familjes emërndritur,  Jaharaj, dita e pushkatimit të të rinjve shqiptarë në Tivar,  të rekrutuar e pa armë, vrasja e të burgosurve në burgun e Dubravës..Edhe përmbajtja e krezës së pestilit, mund të begatohet me elemente që aludojnë krimet gjenocide.  Me gjithë përkrahjen tonë, konsiderojmë se vendimi përfundimtar duhet  të merret  pasi të shqyrtohen vërejtjet dhe sugjerimet që mund të jepen, veçmas nga elita intelektuale, por edhe nga përfaqësuesit e institucioneve tona shtetërore”, thuhet në deklaratën e Shoqata e të Burgosurve Politikë.

Deklaratë e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës për propozimin që lulëkuqja të përzgjidhet simbol i gjenocidit mbi shqiptarët

Duke vlerësuar se krimet barbare serbe e malazeze ndaj popullsisë shqiptare, veçmas ndaj afro  gjysmës së saj që ka jetuar në trojet e veta etnike e historike të pushtuara nga Serbia e Mlit të Zi në vitin 1912, të ripushtuara pas LBD-së si dhe krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta të shekullit që lamë pas, kanë pasur përmasa gjenocidi me pasoja të rënda për popullin tonë dhe të ardhmen e tij, nismën për përdorimin e lulëkuqes si simbol të gjenocidit e vlerësojmë të qëlluar dhe si të tillë e përkrahim.

E përkrahim edhe për arsye se historiografia serbe dhe malazeze, përzënien me zjarr e hekur të popullsisë shqiptare  nga trevat  në kufi me Serbinë, Kurshumlia, Leskovci, Prokupla, Toplica Vraja e Nishi, gjatë viteve 1877-1878, e ka paraqitur dhe vazhdon t’i paraqesë si luftë ’’ për çlirimin e spastrimin e tokave Serbe  nga turqit’’, kurse operacionet e përgjakshme ushtarake gjatë  luftërat ballkanike, të zhvilluara në brendi të territorit shqiptar, i arsyeton si ‘’interes strategjik ekonomik   për dalje në det… ’’

Se me ç’egërsi i ka kryer krimet ushtria serbe gjatë luftërave ballkanike, përveç në kujtesën kolektive të shqiptarëve, kanë shkruar  shumë autorë, madje edhe autorë serbë, por edhe të huaj. Me këtë rast po i  veçoj vetëm dy prej tyre. Duke folur për asgjësimin e popullsisë shqiptare në territoret e pushtuara nga ushtria serbe, socialdemokrati serb, Dimitrije Tucoviqi ( 1881-1914), avokat dhe gazetar, pjesëmarrës në luftërat ballkanike si nënoficer, shkruan: ‘’Ajo që luftërave ballkanike ua vë vulën  e luftërave më barbare e gjakatare  të shekullit të mesjetës së errët, nuk janë lumenjtë e gjakut të njerëzve të armatosur të vrarë, por është numri i gjakut  të popullsisë civile të vrarë, të fëmijëve, grave, pleqve të pafajshëm, që të gjithë njerëz të qetë, faji i vetëm i të cilëve ishte se ata i  luten ndryshe zotit, flasin gjuhë tjetër dhe për atë se në vatrat e veta i kanë pritur me naivitet ( besim i tepruar që vjen nga përvoja e pakët jetësore-FGJSH) sulmet e egra të ushtrisë serbe… Edhe sot më kujtohet raporti i parë kur ushtria serbe takonte shqiptarë. Atë rast kanë bërë kërdi në shqiptarë, të cilët binin të vdekur në grumbuj…Në ajër fluturonin duar, këmbë, koka dhe copa mishi të shqiptarëve të copëtuar…Edhe hienat do t’ i mbysnin në mënyrë më njerëzore seç i mbysnin serbët’’. Gazetarja, shkrimtarja dhe antropologia britanike, Mary Edith Durham ( 1863-1944), ndër të tjera shkruan: ‘’Në shumë vende ë Kosovës toka ka qenë e mbuluar me trupat e vdekur të grave e fëmijëve…’’ Duke përshkruar sadizmin e ushtrisë serbe, ajo shkruan: ‘’Në fillim të vitit 1913, ushtarët serbë argëtoheshin duke ua lëshuar gjakun shqiptarëve e, që të mos u rridhte shpejt, ua bënin një prerje të vogël në nyje, bërryl a qafë, si kafshëve, që vdekja të zgjaste sa më shumë, në mënyrë që ata të kishin sa më gjatë vetëdije dhe në frikë të tmerrshme të prisnin vdekjen:’’

Krime të tilla ushtria dhe policia serbe ka bërë edhe kah fundi i LPB-së, në vitet 1918 e 1919, ndërmjet dy luftërave botërore. Në fund të LDB-së, në vitet 1944-1945, vrasjet anekënd Kosovës e trojeve shqiptare të ripushtuara me mashtrimin më të dëmshëm për shqiptarët, vrasja në masë e popullsisë civile në Drenicë e,  veçmas,  vrasja e mijëra të rinjve duarthatë në Tivar, të mobilizuar gjoja për të përzënë ushtrinë gjermane nga Jugosllavia, janë bërë   me qëllim të dobësimit të qenies biologjike  të popullsisë shqiptare, formë kjo e veçantë gjenocidi.

Gjenocidi me paramendim në kohë paqe

Krimet serbe, në përmasa gjenocidi me paramendim, me metoda më të sofistikuara, do të vazhdojnë edhe pas LBD-së. Tjetërsimi i identitetit të shqiptarëve duke i identifikuar si turq dhe marrëveshjet e Jugosllavisë për t’ i shpërngulur 40.000 familje shqiptare në Turqi, janë bërë sipas projekteve shtetërore serbe. Gjatë aksionit  të UDB-së ‘’për zbulimin e  marrjen e armëve’’, janë torturuar, gjymtuar e mbytur mijëra shqiptarë. Formë speciale e gjenocidit  është zbatuar edh pas  heqjes me dhunë të autonomisë çfarë e kishte Kosova deri në  mars të vitit 1989.  Dhuna ekonomike me uzurpimin e resurseve ekonomike, plaçkitjen e tyre dhe largimin e punëtorëve shqiptarë nga puna, kishin qëllim rrënimin e kushteve elementare për jetesë të shqiptarëve kurse uzurpimi i institucioneve arsimore kishin për qëllim pengimin e të rinjve e të rejave shqiptare për t’u arsimuar.

Duke llogaritur se përsëri u kishte ardhur momenti  historik  për realizimin e projekteve  për spastrimin etnik të Kosovës, projekte  këto të hartuara nga përfaqësues  të  qarqeve shkencore dhe fetare serbe që nga viti 1844 e këndej, krerët shtetërorë serbë të Beogradit, në vitet e nëntëdhjeta,  do të mobilizojnë e dërgojnë në Kosovë forca të shumta policore, ushtarake dhe formacione të përbëra nga persona të dënuar për vrasje, dhunime, vjedhje. Krimet monstruoze të këtyre forcave të kombinuara ndaj popullsisë shqiptare do të alarmojnë dhe detyrojnë të intervenojnë edhe qarqet politike demokratike ndërkombëtare. Falë luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të viteve 1998-1999, gjakut të derdhur të luftëtarëve e luftëtareve pjesëtarë të saj si dhe intervenimit të trupave ushtarake të NATO-s, pas gati  një shekulli, u përzunë  forcat ushtarake e policore serbe dhe Kosova fitoi lirinë çfarë e gëzojmë tani.

Mjerisht, edhe sot e kësaj dite,  drejtuesit aktualë të Serbisë, bashkëpunëtorë të ngushtë të të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Sllobodan Millosheviqit,  jo vetëm që  s’ kanë hequr dorë nga ideologjia fashiste serbomadhe, por janë përpjekur t’i fshehin gjurmët e krimeve  duke i zhvarrosur  kufomat  e civilëve shqiptarë nga gropat masive  e hedhur ato në lumenj  e liqene, duke i djegur në furrat e shkritoreve, apo duke i djegur me benzinë, për çka  nuk janë penduar fare, nuk kërkojnë falje dhe, për më tepër, e mohojnë se kanë bërë gjenocid.

Ne, të burgosurit politikë, kemi arsye shtesë për përkrahjen e propozimit për përzgjedhjen e lulëkuqes si simbol të gjenocidit mbi shqiptarë., sepse për përpjekjet e  luftën e pareshtur të shumë e shumë brezave   për lirinë e pavarësinë e popullit tonë, nga regjimi jugosllav, prej vitit 1944 deri qershor të vitit 1999, shqiptarët janë dënuar me  6.667 shekuj burg.

Për arsyet e cekura,  veçmas duke pasur parasysh shtrirjen kohore dhe gjeografike të gjenocidit serb mbi shqiptarët, konsiderojmë se në vend të togfjalëshit terminologjik Gjenocidi në Kosovë, duhet të jetë  Gjenocidi mbi shqiptarë, ndonëse termi gjenocid është i pas LDB-së. Përpos simbolit, ka bazë të përcaktohet edhe DITA E PËRKUJTIMIT TË GJENOCIDIT, e cila do të futej në kalendarin shtetëror, si porosi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm se duhet të jenë gjithmonë kundër krimeve të çfarëdo natyre qofshin. Si ditë e tillë do të mund të ishte dita e vrasjes me artileri të rëndë e fëmijëve të Familjes emërndritur,  Jaharaj, dita e pushkatimit të të rinjve shqiptarë në Tivar,  të rekrutuar e pa armë, vrasja e të burgosurve në burgun e Dubravës..Edhe përmbajtja e krezës së pestilit, mund të begatohet me elemente që aludojnë krimet gjenocide.

Me gjithë përkrahjen tonë, konsiderojmë se vendimi përfundimtar duhet  të merret  pasi të shqyrtohen vërejtjet dhe sugjerimet që mund të jepen, veçmas nga elita intelektuale, por edhe nga përfaqësuesit e institucioneve tona shtetërore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një incident tronditës ka ndodhur në Itali, një tigër…