Shoqata e Trajnerëve pranohet në AEFCA
Shoqata e Trajnerëve të Futbollit të Kosovës është bërë pjesë e Aleancës Evropiane të Shoqatave të Trajnerëve të Futbollit (AEFCA).
Një vendim të tillë e ka marrë Bordi i AEFCA-s gjatë punimeve të simpoziumit katër ditor që u mbajt në Turqi, prej 7 deri më 10 janar. Në këtë simpozium për herë të parë ka marrë pjesë edhe delegacioni i Shoqatës së Trajnerëve të Kosovës, në përbërje Ajet Shosholli, kryetar dhe Erdogan Celina dhe Valdet Shoshi, anëtarë të Bordit. Gjatë këtij simpoziumi delegacioni i Kosovës është takuar me kryetarin e AEFCA-së, Walter Bagg dhe nënkryetarin, Fredi Fiorentini, të cilët edhe ua kanë kumtuar vendimin për anëtarësimin e Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit të Kosovës në këtë asociacion.
“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm për shoqatën tonë, pasi tashmë do të jemi të barabartë me të gjitha shoqatat tona simotra në Evropë dhe do të jemi pjesëmarrës të çdo simpoziumi dhe aktiviteti tjetër që do të organizojë AEFCA”, ka theksuar kryetari i Shoqatës së trajnerëve, Ajet Shosholli. Ai ka bërë të ditur se në punimet e këtij simpoziumi kanë ligjëruar trajnerë të njohur si Ioan Lupesku, Mircea Luçesku dhe Shenol Gunesh, derisa pjesë e panelit kanë qenë edhe futbollistët e njohur Samuel Eto’o dhe Pepe.