Shoqata “Jehona e Malësisë” dënon ashpër torturën brutale ndaj shtetasve shqiptarë në Herceg Novi
Shoqata “Jehona e Malësisë” në Michigan ka dënuar ashpër torturën brutale ndaj tre shtetasve shqiptarë në Herceg Novi nga persona deri tani të paidentifikuar.
Shoqata “Jehona e Malësisë” ka ftuar krerët politikë shqiptarë që të veprojnë në përmirësimin e kushteve të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Rasti i torturës nga Herceg Novi nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata të kota dhe definitivisht nuk mjafton që çështja të mbetet në nivelin e aktakuzës, por duhet sqaruar në detaje, për të zbuluar atë që de facto të gjithë e dimë. Ne kemi nevojë për institucione që janë të afta të ndëshkojnë agresorin, të ndalojnë dhe eliminojnë dhunën sistematike ndaj shqiptarëve. Mali i Zi mund të pretendojë para partnerëve evropianë se ka institucione, por ne po e shohim në praktikë që kur bëhet fjalë për shqiptarët, institucionet nuk kanë dëshmuar distancim nga praktikat e kaluara”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
Reagimi i plotë:
Thonë se koha është ilaçi që shëron gjithçka, por duket se ende nuk ekziston një ilaç që do të shëronte urrejtjen shekullore dhe persekutimin sistematik të shqiptarëve nën Mal të Zi nga strukturat shtetërore. Gjatë gjithë historisë, pushtuesit, knjazet dhe “shokët komunistë” kishin vetëm një synim, e ai është veprimi i vazhdueshëm në dëm të popullit shqiptar. Këtu përfshihen torturat brutale, emigracioni i detyruar, anulimi i të gjitha të drejtave themelore të njeriut, nënçmimi dhe shënjestrimi propagandistik, vendosja e shqiptarëve si njerëz të rendit të dytë nën Mal të Zi dhe shumë padrejtësi të tjera.
Të njëjtën gjë kanë ndjekur edhe kuazidemokratët në tre dekadat e fundit, ku edhe pse skena politike ka pasur disa ndryshime partiake, një gjë ka mbetur konstante, ajo është urrejtja, abuzimi dhe keqtrajtimi i shqiptarëve. Krahas ndërhyrjeve të panumërta çnjerëzore me dekada ndaj popullsisë autoktone shqiptare, vlen të përmendet edhe aksioni i tmerrshëm shtetëror i quajtur “Fluturimi i Shqiponjës”, ku bashkatdhetarët tanë u rrahën dhe u burgosën brutalisht, vetëm pse ishin shqiptarë. Shtypja sistematike e shqiptarëve vazhdoi edhe vitin e kaluar, ku një profesor universitar shqiptar u torturua në mënyrë çnjerëzore nga policia malazeze. Kështu vazhdoi edhe këto ditë, ku kemi një situatë të tmerrshme ku tre shtetas shqiptarë u torturuan brutalisht në Herceg Novi nga persona ende të paidentifikuar. Duke pasur parasysh se abuzimi është i vazhdueshëm pavarësisht nga mazhoranca e re në pushtet, lind pyetja nëse çdo qeveri e re duhet të promovojë ose (të aprovojë në heshtje) dhunën kundër shqiptarëve për të fituar legjitimitet të brendshëm nga elektorati pro Millosheviqit (që nuk u shua kurrë), apo ata thjesht dëshirojnë të fshijnë shqiptarët nga faqja e dheut? Mendojmë se përgjigja është mjaft e qartë, por synimet e tyre kriminale nuk do të kenë sukses as tani, as kurrë. As perandoritë, as mbretëritë, as hegjemonizmi i Serbisë së Madhe, nuk mundi t’i thyejë shqiptarët në shekuj, ndaj ju garantojmë se nuk do të kenë sukses as këta persona keqdashës, shpirtlig dhe albanofob. Kjo do të na bëjë edhe më të fortë dhe më të vendosur për të kërkuar drejtësi dhe trajtim të barabartë para institucioneve dhe jo për t’iu imponuar shqiptarëve aparteidin dhe getoizimin.
Rasti i torturës nga Herceg Novi nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata të kota dhe definitivisht nuk mjafton që çështja të mbetet në nivelin e aktakuzës, por duhet sqaruar në detaje, për të zbuluar atë që de facto të gjithë e dimë. Ne kemi nevojë për institucione që janë të afta të ndëshkojnë agresorin, të ndalojnë dhe eliminojnë dhunën sistematike ndaj shqiptarëve. Mali i Zi mund të pretendojë para partnerëve evropianë se ka institucione, por ne po e shohim në praktikë që kur bëhet fjalë për shqiptarët, institucionet nuk dan dëshmuar distancim nga praktikat e kaluara.
Ftojmë krerët politikë e shoqërorë shqiptarë të veprojnë vazhdimisht dhe konkretisht në favor të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve nën Mal të Zi, në mënyrë që këto raste të mos mbeten vetëm në nivelin e deklaratave , por të çohën deri në fund.
Thonë se drejtësia është e ngadaltë por e arritshme dhe e besojmë se është koha që më në fund të kompletohet dhe finalizohet korniza ligjore dhe gjyqësore për ndalimin e dhunës ndaj shqiptarëve.