Shoqata Kulturore Shqiptare “Mëmëdheu” në Zvicër mbështet kandidatin e mërgatës për deputet numrin 34 të PDK-së, Ragip Xhakën
Shoqata Kulturore Shqiptare “Mëmëdheu” në Zvicër e cila rreth vetës ka shumë veprimtarë shqiptar të cilët jetojnë dhe veprojmë në Zvicër, i kanë dhënë mbështetje kandidatit për deputet nga mërgata, Ragip Xhakën, i cili garon me numrin 34 në listën zgjedhore të PDK-së. Kështu kanë bërë të ditur përmes faqes zyrtare të Shoqatës.
Njoftimi i plotë:
Të dashur anëtarë, përkrahës dhe votues të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025,
Në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, shfrytëzojmë rastin t’ju falënderojmë përzemërsisht për përkrahjen e vazhdueshme që keni dhënë për çlirimin e vendit dhe demokratizimin e Kosovës.
Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë për legjislaturën e ardhshme na mundëson të votojmë për dhjetë kandidatë të partisë për të cilën jemi përcaktuar individualisht secili prej nesh. Mirëpo kësaj radhe në listën e kandidatëve kemi edhe veprimtarë që përfaqësojnë mërgatën tonë, ata atdhetarë që, përveç familjeve të tyre, mbajtën mbi supet e veta barrën financiare të sistemit paralel të arsimit në Kosovë dhe luftën çlirimtare.
Pa marrë parasysh për cilën parti votoni, mos harroni kandidatët e mërgatës sonë !
Në konsultim me anëtarët e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Mëmëdheu” në Zvicër, votues të PDK-së, vendosëm që të mbështesim publikisht kandidaturën e ish të burgosuri politik, z. Ragip Xhaka!
Pa marrë parasysh përkatësinë partiake, të gjithë jemi dëshmitarë për frymën atdhetare me të cilën z. Ragip Xhaka ka edukuar djemtë e tij, futbollistët botërisht të njohur (Granitin dhe Taulantin). Po ju kujtojmë gëzimin e madh që na dhuroi Graniti kur shënoi golin kundër Serbisë dhe, së bashku me Xherdan Shaqirin, e eliminuan Serbinë nga gara për Kupën Botërore të futbollit, më 2018.
Mërgata shqiptare gjithmonë ka mbështetur kauzat tona kombëtare! Tani e kemi në duart tona mundësinë që të mbështetim veprimtarin e çështjes kombëtare, z. Ragip Xhaka, që zëri i mërgatës të ndihet në Kuvendin e Kosovës!
Ne nuk do t’i zhgënjejmë mërgimtarët!
Ne nuk do ta zhgënjejmë Granit Xhakën, sepse me gjithë zemër do të votojmë edhe për numrin 34, z. Ragip Xhaka!
Me urimet më të mira për fitore në këto zgjedhje, ju shprehim konsideratën tonë të lartë!
Me respekt
Në emër të votuesve të PDK-së, anëtarë të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Mëmëdheu” në Zvicër,
Agush Buja, Sekretar
St. Gallen/Zvicër 30 Janar 2025