Shoqata “Medvegja” ndihmoi familjet e prekura nga vërshimet
Shoqata Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, sikur çdo vit dhe çdo rast tjetër, edhe këtë herë u solidarizua me vëllezërit e vet.
Kryesia e Shoqatës Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, e udhëhequr nga kryetari Zymer Hajrullahu, në bashkëpunim me Degën e saj në Kosovë, e ndau një donacion të konsiderueshëm dhe me vlerë për familjet e prekura nga vërshimet në Kosovë gjatë muajit janar të këtij viti, përkatësisht për pesë komunat: Skenderaj, Mitrovicë, Podujevë, Istog dhe Klinë.
Në të gjitha këto komuna, me donacionin e përmendur të Shoqatës Humanitare “Medvegja”, u siguruan nga 20 pako të pasura ushqimore dhe higjienike, në tërësi 100 të tilla, për familjet në nevojë, e të cilat u pranuan nga kryetarët e komunave përkatëse dhe zyrtarët e tjerë përkatës të komunave të përmendura.
Aksionin e realizuan Zenel Neziri, kryetar nderi i shoqatës; Jonuz Fetahu, kryetar i Degës; Gani Krasniqi, Hamdi Halimi dhe Burim Uka.