Shoqata Ndërkombëtare e Testimit të Farërave organizon punëtori në Pejë
Shoqata Ndërkombëtare e Testimit të Farërave (ISTA) ka organizuar punëtorinë tre ditore në Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë(IBK), i cili është edhe nikoqir i kësaj punëtorie, në të cilën do të diskutohet lidhur me rëndësinë dhe nevojat e laboratorëve të testimit të farërave.
Në këtë punëtori po marrin pjesë përfaqësues të IBK-së, përfaqësues të laboratorëve nga Australia, Greqia, Suedia, Letonia, Irlanda dhe Norvegjia, dhe me këtë rast aty do të prezantohet dhe diskutohet edhe për parimet bazë të menaxhimit të cilësisë, për nevojat e laboratorëve të testimit të farërave, të cilat duhet të jenë në përputhje me Standardin e Akreditimit të ISTA-s dhe të përgatiten për arritjen dhe mbajtjen e akreditimit të ISTA-s.
Ndryshe, kjo punëtori ka filluar më 09 prill dhe do të zgjasë deri më 11 prill, ndërkaq kjo është hera e parë që ISTA ka organizuar seminar në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, Instituti Bujqësor i Kosovës gjatë këtyre ditëve do ta ketë edhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me këtë organizatë për të hapur në këtë mënyrë edhe rrugën për anëtarësimin e IBK-së në këtë organizatë ndërkombëtare e po ashtu edhe akreditimin ndërkombëtar të Laboratorit të Kontrollit të Farërave të Institutit.