Shoqatat e dala nga lufta kërkojnë të përfshihen në rritjen e pagës minimale, qeveria hesht
Rritja e pagës minimale në vend që është paralajmëruar të ndodhë së shpejt, nuk do të ndodhë edhe për pagat e kategorive të luftës, në këtë rast për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç sindikatave edhe drejtues të shoqatave të dala nga lufta, thonë se nuk do të qëndrojnë duar kryq nëse nuk përfshihen në pagën minimale që parashihet të rritet në muajt e ardhshëm.
Ndonëse në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë treguar për KosovaPress, se a do të përfshihen në rritjen e pagës minimale edhe veteranët e luftës, profesori i ekonomisë, Nagip Skënderi, i cili kërkon që paga minimale të jetë 300-400 euro, thotë se në rritjen e pagës minimale duhet të përfshihen edhe këto kategori të luftës.
Sa i përket nivelit të pagës minimale, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka shkruar dy ditë më parë se si qeveri kanë propozuar që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, mirëpo sipas tij, ky propozim nuk ka marrë votat e nevojshme, sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën.
Ndonëse, ministri Murati mes tjerash ka thënë po ashtu krejt çka arrihet me këtë mos-votim nga sindikatat është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku duke komentuar ligjin për ndryshimin e ligjit bazik për këto kategori, thotë se deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik.
“E ai kategorizim as që ka filluar qe 4 vite, për shkak se qeveritë nuk kanë dashur ta bëjnë këtë, por edhe nuk mund të filloj tani për shkak se dosjet janë në Prokurori, e lënda në Gjykatë. Prandaj, të mos bëhen çdoherë temë veteranët, të cilëve me ligjin 04/L – 261, që është i vetmi në fuqi, iu rritet pensioni krahas pagës minimale. Sipas informacioneve, thuhet se Qeveria e Kosovës po e përgatit ndryshimin e ligjit në fuqi, për të mos ua rritur veteranëve pensionet”, thotë ai për KosovaPress.
Edhe kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë, se është e papranueshme për ta nëse nuk rriten edhe pagat e kategorive të luftës.
“Nëse kjo qeveri mendon se duhet të anashkalohen këto kategori shumë të rëndësishme, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , nuk do të ishin krijuar as institucionet, nuk do të kishim as parlament e as qeveri… Pra, kur janë në pyetje këto kategori mos të bëjnë pazare ose mos të bien në këto nivele, sepse pa pëlqimin tonë, pa ftesën tonë, pa qenë pjesë e secilit ndryshim këto kategori, natyrisht që për ne do të jetë e papranueshme dhe realisht ne do të marrim masa që në fund të fundit , edhe pse kanë kaluar shumë vite, jeta e veteranit duhet të jetë e dinjitetshme, dhe mos të jetë sikur deri më sot që as asistencë sociale…Pa luftën dhe sakrificën e tyre sot Kosova nuk do të ishte e lirë”, thotë ai.
Jashari thekson se nuk do të qëndrojnë duar kryq nëse nuk ka ngritje të pagave, por sipas tij, do të mblidhen edhe si kryesi dhe të gjitha degët, që të diskutojnë rreth veprimeve të tyre.
“Ne nuk jemi të kënaqur me qasjen e kësaj qeveria për kategoritë e dalë nga lufta… Megjithatë nëse ndodhë kjo ne nuk do të qëndrojmë duar kryq… Pas epopesë së UÇK-së do të konsultohemi me struktura tona, tri organizatat së bashku dhe nëse kjo ndodhë atëherë do të shohim se cili do të jetë reagimi jonë”, thotë ai.
Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi pohon se institucionet, respektivisht qeveritë e deritanishme dhe qeveria aktuale janë vonuar në rritjen e pagës minimale në Kosovë, prandaj, me të drejt sindikatat e të gjithë sektorëve ‘bëjnë zhurmë’ për rritje sa më të shpejt të pagës minimale.
Krahas kësaj profesori Skënderi thotë se Qeveria duhet t’i ngritë edhe pagat e veteranëve të luftës, pasi kjo është e nevojshme siç thekson ai për të pasur paga minimale efektin e vet mbrojtës në kohën kur inflacioni është në shkallën më të lartë.
“Konsideroj se paga minimale duhet të jetë ndërmjet 300-400 euro, sepse standardi jetësor i pothuajse gjysmës së popullatës është vështirësuar… Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të duhej t’i përfshinte (veteranët) në pagën minimale, sepse kjo kategori është e varur nga paga minimale, respektivisht është përcaktuar kohë më parë. Kështu nga inflacioni i cili nga dita në ditë është duke u ngritur, natyrisht se ulë efikasitetin e pagës minimale. Kështu që me ato para që një konsumator ka blerë para një muaj, tash në muajt vijues nuk do të mund t’i blen. Kështu që konsideroj se përveç skemës sociale që do të duhej të merren në konsideratë, mendojë që në këtë aspekt do të duhej me pasur kujdes shumë edhe kategoritë të tjera të cilat janë përcaktuar nga paga minimale, siç është rasti i veteranëve… Kështu paga minimale ta ketë efektin e vet mbrojtës”, theksoi Skënderi.
Në listën e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2021, numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës ishte 36,804. Numri më i madh i përfituesve ishte në Komunën e Deçanit me gjithsej 4.060 ose 11% e numrit të përgjithshëm.
Buxheti për këtë numër të veteranëve prej 36 mijë e 804, arrin 75 milionë e 80 mijë e 160 euro në vit.
Ani se numri i veteranëve lëviz, vetëm për muajin dhjetor 2021 janë alokuar mjete nga buxheti 6 milionë e 256 mijë e 680 euro për 36 mijë e 804 veteranë të luftës.
Ndërkohë, nëse veteranët përfshihen në pagën minimale nga 170 në 250 euro, buxheti duhet të shtohet për këtë kategori 2 milionë e 944 mijë e 320 euro për një muaj ose 35 milionë euro 331 mijë e 840 euro për një vit.
Paga minimale aktuale në vend është 130 euro deri në moshën 35 vjeçare dhe 170 euro mbi këtë moshë.