Shoqatat e Dala nga Lufta sot vendosin për veprimet e ardhshme
Shoqatat e Dala nga Lufta do të mblidhen sot në një takim për të vendosur se si do të veprojnë pas dërgimit të Ligjit për caktimin e Pagës Minimale në Gjykatën Kushtetuese.
Kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë për IndeksOnline se kanë takim në ora 11:00, pastaj do të dalin me njoftim se si do të vendosin.
“Ne kemi thënë se qëndrimet dhe vendimet tona do të jenë edhe në aspektin ligjor, por edhe protestues. Kanë ndodhur disa zhvillime. Konsultohemi me tri organizatat, pastaj ju njoftojmë”, ka thënë Jashari.
Theksojmë se disa ditë më parë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar për interpretim Ligjin për Pagën Minimale në të cilin nuk janë përfshirë veteranët.
Ndërsa, subjekti më i madh opozitar në vend, PDK, e ka dërguar komplet seancën e fundit në Gjykatën Kushtetuese, pasi vlerëson se seanca është mbajtur kundërligjshëm.
Në këtë seancë, përveç Ligjit për Pagën Minimale, janë miratuar 9 ligje në lexim të dytë dhe disa në lexim të parë.
Veteranët kanë paralajmëruar se nuk do t’i lejojnë të futen në Kuvend në ditët kur parashihet të mbahen seanca plenare.