Shoqëria civile i bën thirrje deputetëve ta votojnë ligjin për financimin e subjekteve politike

15 tetor 2020 | 15:40

Kuvendi i Kosovës nesër  pritet ta shqyrtojë në lexim të parë Projektligjin lidhur me financimin e subjekteve politike.

Shoqëria civile ka vlerësuar se versioni i projektligjit që është sjellë në Kuvend përbën një hap të madh në avancimin e transparencës dhe llogaridhënies financiare të subjekteve politike karshi publikut.

“Miratimi i këtij projektligji, që reflekton edhe opinionin e Komisionit të Venedikut, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e shoqërisë civile dhe e faktorit ndërkombëtar. Si entitete që synojnë të qeverisin me qytetarët dhe vendin, subjektet politike duhet të demonstrojnë shembull të mirë të vetëqeverisjes, duke garantuar në radhë të parë që, financimi dhe shpenzimet e tyre bazohen në parimet e transparencës dhe llogaridhënies”,  është thënë në një deklaratë të përbashkët të shoqërisë civile.

Në këtë kontekst, shoqëria civile i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos vonojnë votimin e këtij projektligji. “Miratimi në lexim të parë do t’i hapë rrugë krijimit të grupit punues, puna e së cilit kërkojmë që të jetë e hapur dhe transparente, si dhe të garantojë përfshirjen e shoqërisë civile”, është thënë në këtë deklaratë.

Kjo deklaratë është nënshkruar nga: Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Lëvizja FOL, Organizata Çohu! Dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari i njohur Labinot Tahiri ka njoftuar se nesër (e…