Shoqëria civile kërkon nga Haskuka shkarkimin e drejtorëve me aktakuza

15 dhjetor 2019 | 14:22

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë kërkuar ruajtjen e integritetit institucional brenda Komunës së Prizrenit, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria kundër drejtorit të Drejtorisë Komunale për Ekonomi dhe Financa.

Sipas organizatave EC Ma Ndryshe, Fondacioni për Trashëgimi Kulturore -Legatum, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), IPSIA, THY dhe X40, ky zyrtar komunal në atë kohë ka paraqitur dorëheqjen nga posti i drejtorit të Drejtorisë Komunale për Ekonomi dhe Financa.

“Prokuroria Themelore në Prizren më 3 dhjetor 2019 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre drejtorëve komunalë dhe dy personave tjerë për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, pika 2.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Marrë parasysh mungesën e vullnetit individual të tre drejtorëve komunalë të cilët kanë aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të drejtorisë komunale”, është thënë në reagimin e këtyre organizatave, duke kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka që të ndërmarrë veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësve të tij ose kërkimin e dorëheqjes së tyre.

“Organizatat e shoqërisë civile kujtojnë se premtimet elektorale të Haskukës ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional. Pasi që në rastin e drejtorit të drejtorisë për ekonomi dhe financa është zbatuar praktika e dorëheqjes, kërkojmë që edhe në këtë rast tre drejtorët komunalë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare të dorëhiqen ose të shkarkohen nga postet e tyre deri në vendimin e gjykatës. Organizatat e shoqërisë civile konsiderojnë se ndërmarrja e veprimeve konkrete për dorëheqje ose shkarkim të udhëheqësve të drejtorive komunale në rastet e ngritjes së aktakuzave, do të tregonte vullnetin e sinqertë në përmbushjen e premtimeve për rritjen e standardeve dhe ndryshimin e praktikave për të siguruar institucione me kredibilitet”, është thënë në këtë reagim.

Më tutje, këto organizata kanë thënë se vazhdimi i punës në ushtrimin e funksioneve të larta publike të zyrtarëve që kanë të ngritura aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtarë, do të ulë besimin e qytetarëve në institucionet lokale dhe do të shërbejë si një praktikë jo e mirë në arsyetimin e veprimeve pranë organeve të drejtësisë.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në teatrin “Adriana” në Ferizaj qindra qytetarë, të prirë…