Shoqëria civile kërkon nga qeveria ta anulojë vendimin për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë
Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila ka marrë vendim për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas shoqërisë civile ky vendim i qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Përkundër faktit se shoqëria civile vazhdimisht ka theksuar se vendimi për ngritje të pagave ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, kushtetutshmëria e këtij vendimi është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese. Ky vendim nuk është shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, derisa nuk është konfirmuar as përgjegjësia penale për nxjerrjen e këtij vendimi. I njëjti po ashtu është reflektuar edhe në vendimin e qeverisë të datës 12 shkurt 2020. Sa i përket vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përkitazi me Ligjin Nr.06/L-111 për pagat në sektorin publik, Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e këtij ligji. Kështu, çështja e pagave nuk është rregulluar me këtë ligj. Tutje, që nga koha e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me këtë ligj e deri më sot, kanë kaluar mbi dy (2) vjet e katër (4) muaj. Në këtë mënyrë, përtej pretendimeve, ngritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanimë është konfirmuar në rrugë institucionale. Kështu, përtej kualifikimit formal, vendimi i sotëm i qeverisë paraqet ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, është thënë në reagimin e shoqërisë civile.
Më tutje, shoqëria civile ka vlerësuar se vendimi i qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët paraqet ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Tutje, Komisioni i Venecias ka përcaktuar standardet se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është e lejuar, përjashtimisht rasteve shumë specifike, të cilat nuk paraqiten në situatën konkrete. Në shkurt të vitit 2020, kur në procedurë në Gjykatën Kushtetuese ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për pagat, gjykata i ishte drejtuar Komisionit të Venecias me një pyetje dhe disa nën pyetje thelbësore në lidhje më çështjen e uljes së pagës për pushtetin gjyqësor. Përgjigjet e Komisionit të Venecias ishin se ‘ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë” dhe se ‘pavarësia gjyqësore kërkon një shkallë themelore të sigurisë financiare nga ndërhyrjet arbitrare nga ekzekutivi ose degët e tjera të pushtetit’. Për këto arsye, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet qartazi ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është në kundërshtim me standardet e ndërtuara nga Komisioni i Venecias. Për më tepër, sa ishte në opozitë, vet Lëvizja Vetëvendosje në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese kishte theksuar se ‘…ulja dhe rritja e tyre (pagave) është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës…”, është thënë në këtë reagim, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë ta anulojnë vendimin për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.