Shoqëria civile kërkon që reforma zgjedhore të vendoset me prioritet
Nëntëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile përmes një deklarate për medie kanë adresuar mangësitë në legjislacionin zgjedhor.
“Janë bërë shtatë vjet prej kur ka filluar reforma zgjedhore dhe asnjëherë nuk ka përfunduar dhe nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor në këtë drejtim”, është thënë në deklaratën e këtyre organizatave, për të shtuar se me qëllim të ngritjes së përfaqësimit qytetar dhe rritjes së cilësisë së të zgjedhurve, me qëllim të konstituimit dhe konsolidimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të institucioneve, në mënyrë që të sigurohet më shumë funksionalitet i sistemit politik, transparencë dhe llogaridhënie të subjekteve politike dhe administrim më të lehtë të procesit zgjedhor, organizatat e shoqërisë civile kanë ftuar subjektet politike dhe Kuvendin e Kosovës që të:
Vendosin me prioritet në agjendë çështjen e reformës zgjedhore që adreson problematikat e vërejtura në proceset e kaluara zgjedhore dhe të bazojnë punën në analiza dhe hulumtime; të sigurojnë që legjislacioni zgjedhor është reflektim i të gjitha grupeve të interesit, duke garantuar gjithpërfshirje dhe respektim të vullnetit të të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre gjinore apo etnike; dhe të marrin parasysh rekomandimet nga organizatat e shoqërisë civile dhe nga misionet e vëzhgueseve të zgjedhjeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.
Po ashtu, organizatat e shoqërisë civile shprehin gatishmërinë për të kontribuar në procesin e adresimit të mangësive të legjislacionit zgjedhor me ekspertizën e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta në të ardhmen.
/Epoka e re/