Shoqëria civile kërkon tërheqjen e Projektligjit për financimin e subjekteve politike
Shoqëria civile ka nisur fushatën për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për financimin e subjekteve politike nën moton “Paratë tona, standardet tona”.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, sot, kanë bërë me dije se do të nisin takime me përfaqësues institucional si dhe aktivitete tjera për të kundërshtuar këtë projektligj.
Sipas një komunikate për medie të këtyre organizatave joqeveritare, shumica e amendamenteve të propozuara nga grupi punues në kuadër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, për Projektligjin 06L-137 për Financimin e Subjekteve Politike cenojnë standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike.
“Amendamentet e miratuara në lexim të dytë nga Komisioni për buxhet e financa e dëmtojnë projektligjin sepse cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave. Bartja e këtyre funksioneve në një trup politik si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bie ndesh edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut për forcimin e rolit të Zyrës. Nuk adresojnë prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për të siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike. Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 e thotë qartë se KQZ nuk duhet të jetë autoritet i kontrollit të financave të partive politike”, është thënë në komunikatën për medie.
/Epoka e re/