Shoqëria civile kërkon tërheqjen e Projektligjit për financimin e subjekteve politike
Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka refuzuar miratimin e raportit me rekomandime për Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.
Refuzimi nga komisioni është në përputhje me kërkesat e shoqërisë civile, e cila ka vlerësuar që ky projektligj cenon frymën kushtetuese, zvogëlon mbikëqyrjen dhe kontrollin mbi financat e subjekteve politike, dhe e ul transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut.
“Krahas qëndrimeve të shoqërisë civile, edhe Raporti i fundit për Kosovën i Komisionit Evropian, ka ritheksuar nevojën që në Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, të reflektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias në mënyrë që të garantohet transparenca, llogaridhënia dhe zbatimi efektiv i mekanizmave ligjor mbi këtë çështje.
Në javët e fundit, grupi i organizatave të shoqërisë civile në takimet direkte me grupet parlamentare dhe përmes letrës së hapur i është drejtuar publikut dhe ligjvënësve me argumentet të cilat shpërfaqin mangësitë e projektligjit, ndër të tjera cenimi i pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve politike dhe mos adresimin e prioriteteve që parashihen me Agjendën për Reforma Evropiane (ERA)”, është thënë në komunikatën për media të shtatë organizatave të shoqërisë civile.
Organizatat e shoqërisë civile e ritheksojnë kërkesën drejtuar kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që të tërheq Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike. “Miratimi i një ligji të tillë nga Kuvendi i Kosovës do të thotë kundërshtim i të gjitha standardeve ndërkombëtare për financimin e subjekteve politike dhe vet frymës së Kushtetutës së Kosovës”, është thënë në këtë komunikatë.
/Epoka e re/