Shoqëria civile mirëpret thirrjet ndërkombëtare për mosemërimin e noterëve
Organizatat e shoqërisë civile COHU, Columbus, Demokraci për Zhvillim (D4D), Demokracia Plus (D+), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti EPIK, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL mirëpresin reagimet ndërkombëtare rreth procesit të përzgjedhjes së noterëve të rinj të udhëhequr nga ministri në largim i drejtësisë Abelard Tahiri.
Në reagimin e këtyre organizatave është thënë se pas disa reagimeve të shoqërisë civile, javën e kaluar një numër institucionesh e organizatash ndërkombëtare ishin shumë të qarta në thirrjet e tyre ndaj ministrit në largim z. Tahiri për të mosemëruar noterët që dalin nga procesi i fundit i përzgjedhjes.
Ato kanë rikujtuar se fillimisht ka reaguar Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe Oda Federale e Noterëve të Gjermanisë, ndërsa më pas ka ardhur edhe thirrja eksplicite e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe reagimi i Ambasadorit Gjerman në Kosovë z. Heldt.
Duke qenë të shqetësuar nga deklaratat e ministrit në largim të drejtësisë Abelard Tahiri që përkundër të gjithave planifikon të përmbyllë këtë proces, organizatat e shoqërisë civile kanë përsëritur kërkesat që ministri në largim Abelard Tahiri të mosemërojë asnjë noter nga lista aktuale e kandidatëve për noterë; ministri i ri i drejtësisë urgjentisht të fillojë rishikimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve si dhe policia dhe prokuroria të fillojë hetimet për veprime të mundshme kriminale në procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.