Shoqëria civile nuk lejohet ta monitorojë konkursin për 28 prokurorë të rinj
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), përmes një komunikate për medie, kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me moslejimin e monitorimit të procesit për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj të shtetit nga ana e Komisionit për Rekrutim pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Por, OJQ-të kanë bërë me dije se më 5 shtator kanë njoftuar KPK-në se do të jenë pjesë e monitorimit të procesit të intervistimit, duke ua dërguar emrat e përfaqësuesve që do të monitorojnë këtë proces.
“Kujtojmë se rekrutimi i kandidatëve për prokurorë është një proces tejet i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe si i tillë për shkak të rëndësisë që ka kërkohet që të zhvillohet në atë mënyrë që të gjitha standardet, praktikat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë parimin e transparencës duhet të respektohen në plotni nga fillimi i procesit e deri në fund të tij”, është thënë në komunikatën e përbashkët të tri organizatave joqeveritare.
Komunikata e plotë:
Organizatat joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), shprehin shqetësim të thellë në lidhje me moslejimin e monitorimit të procesit për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj të shtetit nga ana e Komisionit për Rekrutim pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Sot me datë 9 shtator 2024, organizata e sipërpërmendura janë paraqitur në ambientin ku është paraparë të mbahej intervistimi i kandidatëve për prokurorë, mirëpo zyrtarët përgjegjës me urdhër të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Rinj, me sjellje të vrazhda dhe joprofesionale, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e organizatave në fjalë që të lëshojnë objektin ku po parashihej të zhvilloheshin intervistat për prokurorë të rinj, me arsyetimin se kinse nuk u është dërguar organizatave në fjalë ftesa me shkrim nga komisioni për monitorim të procesit dhe se nuk kanë memorandum bashkëpunim me KPK-në për monitorimin e këtyre proceseve.
Me këtë rast informojmë publikun se IKD, FOL dhe INPO, më 5 shtator 2024 kanë njoftuar KPK-në se do të jenë prezente në procesin e intervistimit të kandidatëve prokurorë, duke dërguar me emër dhe mbiemër përfaqësuesit e organizatave. Mirëpo, monitoruesit në fjalë sot (9 shtator), nuk u lejuan të monitorojnë këtë proces me arsyetimin si më lartë.
Kujtojmë se rekrutimi i kandidatëve për prokurorë është një proces tejet i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe si i tillë për shkak të rëndësisë që ka kërkohet që të zhvillohet në atë mënyrë që të gjitha standardet, praktikat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë parimin e transparencës duhet të respektohen në plotni nga fillimi i procesit e deri në fund të tij.
Raporti Këshillëdhënës i prokurorëve evropianë në opinion numër 9 të vitit 2014 mbi normat evropiane dhe parimet që ndërlidhen me prokurorë, në pikën 12 përveç tjerash ka konstatuar se: Karriera dhe punësimi i prokurorëve duke përfshirë promovimin, organizimin e veprimet disiplinore dhe përjashtimin duhet të jenë të rregulluara me ligj dhe të administruara mbi kritere transparente dhe objektive në përputhje me procedurat e paanshme.
Po ashtu, rekomandimet e Këshillit të Evropës kishin kërkuar që Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor duhej të ishin llogaridhënës ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, por edhe shoqërisë, e krejt kjo duke u arritur pikërisht përmes transparencës nëpër konkurset e tyre.
Rekomandimi i Këshillit të Evropës për pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë e gjyqtarëve parasheh që Këshillat për gjyqësorin të tregojnë shkallën më të lartë të transparencës ndaj gjyqtarëve dhe shoqërisë, duke zhvilluar procedura të paracaktuara dhe vendime të arsyetuara. Këto rekomandime që janë dhënë nga Këshilli i Evropës janë në përputhje me opinionet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian (KKGjE), ku parasheh që transparenca në veprimet e ndërmarra nga Këshillat është një faktor thelbësor në besimin që qytetarët kanë në funksionimin e sistemit gjyqësor.
Ndryshe IKD, Lëvizja FOL dhe INPO kishin monitoruar procesin për avancim dhe transferim të nëntë prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, procesin për Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale dhe asaj Themelore në Prishtinë, dhe se veprimi i sotëm për moslejim të organizatave për monitorim të këtij procesi duket i pakuptim dhe në kundërshtim me arsyetimin e dhënë se nuk ka memorandum mes KPK-së dhe organizatave për monitorim të proceseve.
Gjithashtu, lidhur me proceset e rekrutimit nëpër pozita publike, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) vazhdimisht njofton dhe dërgon ftesa për pjesëmarrje nëpër këto proces, e fundit ishte ftesa për monitorimin e intervistave të kandidatëve gjyqtarë për avancim në Gjykatën Supreme.
Prandaj, një veprim i tillë është për keqardhje dhe i njëjti cenon seriozisht dhe rëndë integritetin e procesit të emërimit të prokurorëve të shtetit dhe ul besimin e publikut se sistemi prokurorial ka për qëllim zhvillimin e procesit në mënyrë transparente dhe të bazuar në meritokraci.