Shoqëria civile rekomandon kufizimin e numrit të ministrive
Koordinatori për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se sot ka filluar procesi i konsultimit me përfaqësues të shoqërisë civile nga organizatat Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Democracy Plus dhe D4D, duke e vendosur tanimë Projektligjin për Qeverinë në diskurs të gjerë publik.
“Në mënyrë shumë të hapur, u reflektua mbi çështjet se në çfarë baza duhet të zhvillohet plani i ristrukturimit të Qeverisë, cilat janë rekomandimet e shoqërisë civile dhe a duhet rezultuar kjo me përcaktimin e një numri maksimum të dikastereve apo t’i lihet mundësi e hapur për mandatarin të përcaktoj se me çfarë numri të dikastereve/ministrive do të zbatoj programin e tij politik”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka treguar se është diskutuar mbi atë se a ka kufizime kushtetuese për këtë ligj dhe cila do të jetë vlera e shtuar e këtij ligji, si dhe me çfarë numri të votimit duhet të votohet ky ligj në mënyrë që mos të pësoj ndryshime të njëpasnjëshme nga Qeveritë e ardhshme.
Tahiri ka thënë se shoqëria civile ka rekomanduar kufizimin e numrit të ministrive.
“Nga ana e shoqërisë civile u konfirmua nevoja se përderisa jemi në një periudhë të reformës së administratës publike, përkundër fragmentimeve politike, për një funksionim të mirë shtetëror duhet kufizuar numri i ministrive dhe kjo duhet të bëhet përmes vendosjes së dikastereve dhe ministrive pa portofol, duke vendosur cakun e lartë mbi këtë numër përfshirë edhe numrin e këshilltarëve. Kjo do të jetë në harmoni dhe konsistencë me synimin e Qeverisë për reformën e administratës publike me pakon e tre ligjeve duke përfshirë Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Ligjin për Shërbyesit Publik dhe Ligjin për Pagat”, është shprehur Tahiri.
Sipas Tahirit, në vazhdim pritet që ky diskutim me shoqërinë civile të zgjerohet edhe më tej me organizata tjera dhe si proces të sigurojë një përfshirje të profesionistëve vendorë por edhe ekspertëve nga BE-ja.
“Qeveria është e angazhuar të përshpejtojë procedurat për miratimin e Projektligjit për Qeverinë për të rregulluar strukturën qeveritare dhe fushat e përgjegjësisë brenda Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, si mjet për sigurim të qeverisjes efektive, efikase dhe transparencë ndaj qytetarëve të saj”, ka theksuar ai./Epoka e re/