Shoqëria civile s’pret rezultate nga strategjia për luftim të korrupsionit
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelin e strukturave për hartimin e strategjisë për luftimin e korrupsionit, po vlerësohet si i vonuar. Madje, shoqëria civile shprehet skeptike edhe për rezultatet që mund të japë kjo strategji.
Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), konsideron se veprim i ekzekutivit kosovar për të ndërmarrë hapa drejt hartimit të kësaj strategjie, është vonesë disa mujore.
Ai thotë se ndonëse strategjisë për luftimin e korrupsionit nuk kanë munguar, përsëri nuk ka pas rezultate në këtë drejtim.
“Mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit në Kosovë asnjëherë nuk ka ardhur si rezultat i mungesës së strategjisë të caktuara, ka pasur strategji të ndryshme kundër korrupsion, mirëpo mungesa e vullnetit politik për të zbatuar këto strategji dhe për të ndërmarrë të gjitha veprimet ka qenë arsyeja pse nuk kemi pas rezultate kundër korrupsion. Për këtë strategji nuk mund të themi se është diçka e keqe, mirëpo në vetvete si veprim derisa nuk ka veprime konkrete në bazë të kësaj strategjie, nuk mund të themi se paraqet rezultat në luftën kundër korrupsionit”, thotë ai.
Shala nga IKD kërkoi qasje gjithëpërfshirëse për hartimin e kësaj strategjie, pasi konsideroi se duhet vullnet politik por edhe institucional për zbatimin e saj.
Sipas tij, mbikëqyrja e kësaj strategjia nga Agjencia Kundër Korrupsion nuk paraqet siguri se veprimet dhe rekomandimet e strategjisë do të zbatohen.
“Ne besojmë që strategjia duhet të ketë një qasje gjithëpërfshirëse tani më i kemi disa dokumente shumë të rëndësishme që rrjedhin nga rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit, siç është strategjia për sundimin e ligjit dhe në bazë të kësaj strategjie dhe të qasjes ndërinstitucionale duhet të parashihen veprime për të gjitha institucionet”.
“Mirëpo, në vetvete përfshirja e këtyre veprimeve nuk mund të themi se paraqet rezultat përderisa për zbatimin e këtyre veprimeve dhe për gjenerim të rezultateve nuk ka vullnet si nga qeveria si nga institucionet ligj-zbatuese apo institucionet e sistemit të drejtësisë. Përkundër faktit që është ndoshta pozitive që vetëm është një mekanizëm për monitorimin e kësaj strategjie, prapë se prapë nuk mund të themi se objektivisht garanton siguri shumë të madhe për zbatimin e rekomandimeve të caktuara”, shprehet Shala.
Edhe nga Lëvizja Fol e konsiderojnë si të vonuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për nisjen e punës për hartimin e strategjisë për luftim të korrupsionit.
Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen “FOL”, nënvizon se afati deri në dhjetor i dhënë për përfundimin e draftit të kësaj strategjie krijon mundësi për mosluftim të kësaj dukurie.
“Ky vendim i qeverisë është pothuajse një vendim shumë i vonshëm për shkak se janë bërë 2 vite që nuk kemi strategji të qartë, e cila vepron kundër korrupsionit, kështu që, shpresojnë që kjo strategji të miratohet dhe të bëhet sa më shpejt. Mirëpo, edhe afati që është dhënë në vendimin e qeverisë është shumë i vonshëm për shkak se grupi punues ka afat deri në 1 dhjetor të dorëzoj hartimin e strategjisë dhe ky afat është prapë i tejzgjatur për shkak se kjo vonesë dëmton shumë edhe institucionet tjera dhe nuk arrihet qëllimi për luftimin e korrupsionit as në këtë vit për shkak të mosmiratimit të kësaj strategjie deri në fund të vitit”, deklaron Bunjaku.
Ajo kritikon Qeverinë e Kosovës për mospërfshirje të shoqërisë civile në grupin punues për hartimin e kësaj strategjie, derisa shpreson që do të hartohen hapa konkret për parandalimin e korrupsionit.
“Po shpresojmë shumë që ky grup punues të punoj në hapa konkret që do t’i prekte ato institucione se duhet t’i luftojnë korrupsioni, pasi që i dimë edhe statistikat e viteve të kaluara nuk përkojnë shumë me rezultat të mirë, por presim që kjo strategji të jetë një strategji e duhur”, thekson ajo./KP