Shoqëria Lëvizja: Duam ta ndërtojmë shtëpinë e LPK-së
Shoqëria “Lëvizja”, ka njoftuar se detyra më e rëndësishme e saj mbetet ndërtimi i shtëpisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila do të ketë pjesën e ambienteve për punë dhe aktivitete, dhe pjesën muzeale.
Kryetari i kësaj lëvizje, Xhevat Bislimi, në një konferencë për media, tha se qëllimi kryesor i kësaj shoqërie është mbledhja, ruajtja, mbrojtja, kultivimi, promovimi dhe afirmimi i vlerave të veprimtarisë çlirimtare të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe veprimtarisë së fshehtë çlirimtare në të gjitha trojet e pushtuara, si dhe kudo që ka vepruar si organizatë.
Ai përmendi disa nga aktivitetet e tyre që nga themelimi i saj, duke ftuar të gjithë veprimtarët në të njëjtën kohë që t’i bashkohen në ndriqimin e historisë.
“Detyra më e rëndësishme e Shoqërisë dhe e gjithë miqve dhe mbështetësve të saj, mbetet ndërtimi i shtëpisë së Lëvizjes, e cila do të ketë pjesën e ambienteve për punë dhe aktivitete, dhe pjesën muzeale. Është menduar të jetë një shtëpi monument, që do të jetë me emrin Shtëpia Lëvizja. Për këtë duhet të gjendet trualli, fondet, ndërtimi etj. Për këtë çështje është menduar dhe biseduar gjatë dhe nga këndvështrime të ndryshme, është biseduar edhe në Shkup e jashtë atdheut me degët në mërgim. Kjo do të jetë një shtëpi monument, prandaj së pari duhet projektimi, kostoja financiare, përzgjedhja e projektit dhe ndërtimi”, tha ai.