Short shumë i vështirë për Kosovën
Kombëtarja e Kosovës në hendboll do të përballet me Suedinë në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2025 për hendbolliste.
Kështu është caktuar me shortin e tërhequr sot në Vjenë. Kosovës sërish i mungoi fati në short. Suedia është prej Kombëtareve më të forta në Evropë, ndërsa ishte e para në vazon e parë.
Ndeshja e parë zhvillohet në Suedi më 9 apo 10 prill të vitit të ardhshëm. Ndërkohë ndeshja e kthimit është në Kosovë më 12 apo 13 prill 2025.
Në raundin e parë kualifikues, Kosova mposhti Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën për të bërë vend në fazën e fundit kualifikuese. Tani përballë vajzat tona do ta kenë Suedinë.
Ndonëse Suedia është Kombëtare e nivelit të lartë, synim i Kombëtares sonë mbetet angazhimi maksimal për kualifikim historik në Botëror.
Në ceremoninë e tërheqjes së shortit ishte edhe Muhamet Arifi, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës.