Shorti i Ligës së Kampionëve do të përsëritet
Shorti për fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve përfundimisht do të përsëritet.
UEFA përmes një komunikate zyrtare konfirmoi se shorti do hedhet sërish me fillim nga ora 15:00.
“Pas një problemi teknik me softuerin e një ofruesi të jashtëm shërbimi që udhëzon zyrtarët se cilat skuadra kanë të drejtë të luajnë me njëra-tjetrën, ndodhi një gabim material në shortin për raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve të UEFA-s. Si rezultat, shorti do hedhet sërish me fillim nga ora 15:00″, njoftoi UEFA.
Manchester United ishte në vazon kur u hodh shorti për Villarrealin, gjë që s’duhet të ndodhte ngase dy skuadrat u takuan në fazën grupore.
E njëjta vlen për Liverpoolin që ishte në vazon e Atletico Madridit, pavarësisht që dy skuadrat u takuan në fazën grupore.
Ndërkohë, Man United nuk ishte në vazon për hedhjen e shortit për Atletico Madridin, edhe pse dy skuadrat kishin të drejtë të ishin në një vazo, ngase klubi spanjoll u kualifikua si pozitë e dytë, derisa “Djajtë e Kuq” si lider.
Kështu, pas ankesave të klubeve si Atletico Madrid dhe Manchester United, UEFA ka vendosur zyrtarisht ta përsëris shortin për fazën e eliminimit direkt.