Shorti i LK-së, askush nuk i dëshiron Realin, Barçën, Bayernin dhe Cityn
Liga e Kampionëve do të mësojnë fatet e tyre, që do të përcaktohen nga goglat e shortit që do të hidhet në Nion të Zvicrës. Vetëm një orë më vonë do të hidhet edhe shorti për Evropa Ligës, që i zhvillon mbrëmjen e sotme ndeshjet e kthimit të 1/8-ave të finaleve.
Në short janë emra të mëdhenj e vetëm një apo dy mund të konsiderohen disi më të lehtë. Gjithashtu nuk do të ketë rregullore përjashtuese për ndonjë përplasje të mundshme. Të gjitha, duke nisur nga Barcelona, Reali i Madridit, Bayern Munchen, Juventusi, Liverpooli, Manchester City, Roma e Sevilla, mund të përplasen mes tyre. I vetmi rregull është se ekipi që rezulton i pari nga shorti do ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpi e atë të kthimit në transfertë.
Vlen të theksohet se Italia nuk dërgonte dy ekipe në fazën e çerekfinaleve të kompeticionit më prestigjioz për klube në Europë prej plot 11 vitesh. Por tashmë, fati duket se mund t’i rrezikojë shumë shpresat e tyre për të shkuar në gjysmëfinale. Mbi të gjitha, ekipet që duhen evituar nga Reali, Barça, Bayerni dhe City. Ndoshta Liverpooli dhe Sevilla janë më pak të rrezikshme, por “The Reds”-at kanë pasur ndeshje shumë të mira, ndërsa andaluzianët e drejtuar nga Montella eliminuan Unitedin e Mourinhos për të ardhur deri këtu.
Sigurisht nuk përjashtohet edhe një përplasje e gjitha italiane, mes Juves dhe Romës, që gjithsesi një të mirë do ta kishte, pasi në gjysmëfinale do të shkonte një ekip nga Serie A.
Shorti ditën e nesërme do të prezantohet nga ambasadori i Ligës së Kampionëve, Andriy Shevchenko. Ndeshjet e para do të luhet më 3-4 prill dhe ato të kthimit më 10-11 prill. Më pas, më 13 prill do të hidhet sërish short për gjysmëfinalet, takimet e para të të cilave do të luhet brenda muajit, më 24-25 prill, e ato të kthimit më 1-2 maj.
Finalja e madhe këtë vit do të luhet në stadiumin “NSC Olimpiyskyi” të Kievit, më 26 maj. (Top Channel)