Shotani: Drenica, befasia e Superligës

06 dhjetor 2017 | 16:18

Trajneri Bekim Shotani e ka quajtur skuadrën e Drenicës befasi të gjertanishme në Vala Superligën e Kosovës në futboll pasi, pavarësisht prej problemeve të mëdha që kishte, arriti ta mbyllë këtë sezonin me gjashtë pikë minus nga vendi i parë. “Drenica ka qenë befasia e Superligës, pasi kemi pasur më së paku transferime të bëra e, në anën tjetër, problemet ishin të mëdha, përfshirë edhe problemin kryesor: financat. Sekreti i suksesit qëndron te grupi homogjen i ekipit, i cili ka një disiplinë të madhe. Ne si ekip gjithmonë kemi qenë në stadium një orë para se të fillojë ndeshja”, ka thënë Shotani.

KF Drenica nga Skenderaj i ka tejkaluar parashikimet duke arritur rezultate pozitive në sezonin vjeshtor të Vala Superligës së Kosovës në futboll. Kjo skuadër që vlerësohej si një prej atyre që do të luftojnë për mbijetesë, arriti ta mbyllë sezonin vjeshtor në pozitën e gjashtë me 28 pikë të grumbulluara, gjashtë pikë më pak se skuadra lidere, Llapi.

Trajneri Bekim Shotani të martën për “Epokën e re” ka thënë se skuadra kuqezi një sukses kaq të madh e arriti falë grupit homogjen, prandaj edhe mund të quhet befasia e elitës. “Drenica ka qenë befasia e Superligës, pasi kemi pasur më së paku transferime të bëra, në anën tjetër problemet ishin të mëdha, përfshirë edhe problemin kryesor: financat. Sekreti i suksesit qëndron te grupi homogjen i ekipit, i cili ka një disiplinë të madhe. Ne si ekip gjithmonë kemi qenë në stadium një orë para se të fillojë ndeshja”, ka thënë Shotani, i cili më pas ka vlerësuar në detaje thuajse të gjithë lojtarët kuqezi.

“Ekipit i ka prirë kapiteni Sami Geci, një djalë dhe lojtar me edukatë shembullore që shumë më ka befasuar me një kulturë skandinave. Pastaj në fushë brenda një lider si Taulant Dajaku dhe në portë i mrekullueshmi Flamur Neziri. Visar Berisha është në formë jetësore, në anën tjetër një mbrojtje të shkëlqyeshme e kishin edhe Azem Bejta dhe Shkëlzen Lushtaku. Po ashtu, plejmekeri Dugagjin Gashi dhe mesfushorët defansivë Thaqi dhe 17-vjeçari Dervishaj. Në krah të sulmit Abazi dhe këmbëshpejti Hysen Tahiri. Ndërsa befasia e kampionatit është Genc Hamiti, golashënuesi më i mirë që e shndërruam prej mbrojtësit të krahut në një sulmues tipik”, ka deklaruar Shotani.

Trajneri Bekim Shotani, që është më meritori për sukseset e skuadrës kuqezi në këtë edicion garues, ka thënë se për pranverë Drenicës i duhen pesë lojtarë. “Sa iu përket ndryshimeve, duhet t’i sjellim pesë përforcime për ta ngritur konkurrencën në ekip. Ne kishim 26 futbollistë, kurse nga skuadra janë larguar gjashtë prej tyre”, ka deklaruar Shotani.

I pyetur për mundësinë që Drenica ta ndjekë titullin e kampiones, Shotani deklaroi: “Në pranverë Drenica e ka orarin shumë më të mirë pasi dy xhirot e para 19 dhe 20 luajmë ndaj Besës së Pejës dhe Vllaznisë së Pozharanit. Megjithatë, për të luftuar për titull varet shumë edhe nga kryesia e ardhshme”. Pavarësisht prej punës që ka bërë, trajneri Shotani në skuadrën nga “Bajram Aliu”, Drenica mund të mbetet pa të. Vetë trajneri ka bërë me dije se kontrata aktuale i përfundon sot (e mërkurë).

“Kontrata ime si trajner me përfundon të mërkurën më 6 dhjetor dhe qëndrimi im do të varet shumë nga udhëheqësit e rinj në klub. Nëse nuk i plotësojnë kresat që kam, atëherë do të vazhdoj në ndonjë klub tjetër”, ka përfunduar Shotani.

Skuadra e Drenicës nga 18 ndeshje ka regjistruar 8 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje, me një golaverazh prej 18 golave të shënuara dhe 14 të pranuara.

 

(Veton ZYMBERI)

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paul Pogba u ka kërkuar bashkëlojtarëve të Manchester United që…