SHOTË GALICA, NJË VËSHTRIM NDRYSHE

22 dhjetor 2017 | 12:26

Shefkije Islamaj

Jeta e veprimtaria e Shotë Galicës bie në kohë të quajtur historike: në kohë të rënies së Perandorisë Osmane, në kohë të krijimit të shtetit shqiptar, në kohë të luftërave ballkanike, në kohën kur Kosova dhe trojet e tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë së cunguar bien nën pushtimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë, në kohën kur në Kosovë po bëheshin përpjekje për ta forcuar Lëvizjen Kombëtare për Çlirim, në kohën kur gjendja e shqiptarëve ishte tejet e rëndë në çdo anëvështrim.

Por, këto nuk ishin rrethanat e vetme e të drejtpërdrejta që e shtynë Shotën ta lërë jetën e rëndomtë vajzërore, ta lërë rrethatoren e punuar me gjilpërë, e që i rrinte aq bukur, për t’u veshur burrërisht me tirq e për t’i ngjeshur dy kobure në brez. E rritur në një familje atdhetare, në një familje që ka njohur së afërmi humbjen, vuajtjen, sakrificën, ajo u mbrujt herët me dashurinë për familjen, fshatin e vet, atdheun. Ajo u rrit në një familje ku pushka rrinte e ngrehur, e gatshme për të shkrepur, jo vetëm për ta mbrojtur pragun e shtëpisë së vet, por pragjet e çdo familje shqiptare.

Gjatë luftërave ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore te popujt përreth, gruaja mund të ishte vetëm prapavijë, fuqi mbështetëse, që siguronte burimet familjare e ekonomike të nevojshme për luftën. Po nuk ishte i tillë fati i gruas vetëm në Ballkan.

Në Luftën e Parë Botërore edhe në Amerikë pjesëmarrja e gruas amerikane në luftë ka qenë e gjerë – jo si ushtare e si luftëtare, por si infermiere ose si punëtore në industrinë luftarake, në ndërtimtarinë e makinerisë së luftës, në logjistikën, pra në zonën ta quajmë të rezervuar për burra. Një numër i madh i grave shërbente në ushtri, por nuk merrte pjesë në luftë drejtpërdrejt. Kjo ka ndodhur edhe në Luftën e Dytë Botërore. Për dallim nga Evropa, në Amerikën e madhe gratë nuk do të marrin pjesë në luftë drejtpërdrejt. Dhe kjo ndodh sepse opinioni publik nuk do ta pranonte në asnjë mënyrë një gjë të tillë. Vetëm në vitin 1948[1] zyrtarisht gruas i njihet e drejta për t’u bërë pjesë e përhershme e ushtrisë amerikane. Pra u desh Lufta e Dytë Botërore që në historinë e popujve të Evropës gruaja ta thyejë skajimin e saj e të bëhet faktor i rëndësishëm i luftës. Vetëm në Luftën e Dytë Botërore do të rekrutohen si ushtare 125 mijë gra franceze, gjermane, angleze etj.[2], në njësi të ndryshme. Dhe kështu gruaja më nuk do të jetë vetëm punëtore në fabrikë, në punët bujqësore, por edhe pjesëmarrëse aktive e luftës, pra luftëtare, ushtare, madje pilote. Është koha kur ndërron historia e gruas dhe kur ndërron historia për gruan.

Por, më shumë se njëzet vjet para Luftës së Dytë Botërore, një gruaje shqiptare i kishte dalë nami përtej shqiptarëve si luftëtare.

Ishte Shota, Shotë Galica.

Historia e saj nuk i ngjan historisë së grave që kishin ndihmuar ushtritë e veta në luftërat ballkanike e as në Luftën e Parë Botërore; historia e saj nuk ishte e ngjashme as me historinë e grave që ishin ligjësuar si ushtare a luftëtare brenda ushtrive të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historia e saj ishte ndryshe. Ajo ishte luftëtare e një çete vullnetare, një çete që luftonte nëpër male, një çete pa burime e pa mjete ushtrie, një çete burrash që gdhihej e errej nëpër lugina e male, që luftonte befas e fshehtas, më shumë e uritur se e ngopur. Brenda kësaj çete burrash ajo do t’i marrë mbi vete përgjegjësitë e një luftëtari të radhës së parë. Përpos luftëtare, ajo ishte edhe fuqi mbështetëse, që ua përgatiste ushqimet, që ua lante e qepte rrobat e, më së shpeshti, që ua shëronte plagët bashkëluftëtarëve.

Ajo u bë luftëtare, ushtare e barabartë me burrat, dhe mori pjesë përgjatë dymbëdhjetë vjetëve lufte e qëndrese në mbi 40 aksione luftarake të rëndësishme në Drenicë, në Dukagjin e në Podgur. Gjatë këtyre 12 vjetëve luftë ajo humbi edhe 22 anëtarë të familjes.[3]

Nëse në ushtrinë britanike të Luftës së Dytë Botërore ajo nuk hynte në asnjë rast në luftë pa u stërvitur në mënyrë profesionale për të kryer detyra të ndryshme të luftës, Shota nuk u bë gati për luftë si ushtare, ajo nuk kreu as stërvitje të veçanta luftarake, por ajo kishte diçka shumë të rëndësishme e shumë frymëzuese: ajo kishte më vete të vërtetën, guximin dhe vendosmërinë – tri armët më të fuqishme për një luftëtar. Këto tri virtyte të larta do ta bëjnë Shotën luftëtare të paepur.

Për gratë e ushtrive të mëdha, të cilat në ushtri do të jetonin si burrat, do të luftonin si burrat dhe, më në fund, do të vdisnin si burrat, për të gjallë e për të vdekur të tyre do të përkujdesen shtetet e veta. Shota jonë do të jetojë, do të luftojë, do të plagoset e do të vdesë si bashkëluftëtarët me vështirësi të mëdha, me shtrëngesa e skamje të papara, për të e për ta nuk kishte kush të përkujdesej as për së gjalli e as për së vdekuri. Prandaj historia e Shotës është ndryshe, është tjetër: është histori e Shotës, është histori e shqiptarëve. Lavdisë së saj i rri krah fatkeqësia e saj dhe fatkeqësia e popullit të saj.

Gjatë, shumë gjatë, te të gjithë popujt ta çosh gruan në luftë do të thoshte përmbysje rrënjësore e traditës, përmbysje e roleve tradicionale të gruas – të gruas që kujdeset për fëmijët e shtëpinë, të gruas që pret burrin, të fejuarin a të dashurin te dera e shtëpisë që të kthehet nga misionet luftarake të burrave ose shpesh të gruas që pret burrin në arkivol, në rast të rënies së tij, për ta qarë e vajtuar. Shota jonë e përmbys këtë traditë. Shota para më shumë se 100 vjetësh do ta përmbysë këtë rol tradicional të gruas, dhe jo vetëm të gruas shqiptare. Shota, duke qenë në luftë, do ta përjetojë jo vetëm vdekjen e më të afërmve të vet familjarë, të birit të saj, dhe më pas të të shoqit bashkëluftëtar, pa pasur mundësinë as t’i varrosë e t’i qajë ata, por do të jetë shtrënguar dhe e vendosur fuqishëm ta vazhdojë luftën e ta marrë rolin e Azem Galicës si udhëheqëse. Burrat në luftë kishin prapavije gratë, por Shota luftëtare nuk kishte prapavije. Ajo ishte ballë për ballë në fushëbeteja. E konsideroj pjesëmarrjen e saj në luftë krahë burrave një eksperiment dramatik të bërë vullnetarisht. Ajo ndërroi rregulla e konvencione të shkruara e të pashkruara të traditës jo vetëm shqiptare dhe hyri në histori, prandaj historia e saj është tjetër fare, është e lavdishme dhe tragjike. Tragjike, sepse me këtë luftë ajo flijoi të paflijuarën për gruan: të qenët nënë. Dhe kjo është shumë e dhembshme për një grua. Prandaj historia e saj është e lavdishme dhe tragjike.

Më 1943 Xhorxh Marshalli, përgjegjës i personelit ushtarak, përmes kolonelit Eduard Timberlejkut, në ushtrinë amerikane do të fusë gra në njësitë ushtarake[4], pos të tjerash, për ta verifikuar përkushtimin e tyre ndaj detyrave e detyrimeve, për ta verifikuar gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për t’i mësuar dhe kuptuar të dhënat teknike të armatimit e të tjera. Shota jonë pa këto prova e përvoja ka dëshmuar se ishte fizikisht e aftë për t’u bërë pjesë aktive e luftës çlirimtare. Ajo ka dëshmuar aftësi fizike, psikologjike e udhëheqëse për t’i realizuar detyrat e nevojshme në një formacion siç ishte Çeta e Azem Bejtë Galicës. Ajo rrënoi stereotipat e të menduarit për gruan në një shoqëri tejet të vonuar, të shqiptarëve të dëmtuar, të lënduar, të shfrytëzuar, të varfëruar, të lodhur, të këputur, shkurt të prapambetur skajshëm prej pushtimeve të njëpasnjëshme. Ajo sfidoi edhe paragjykimet, edhe mendësinë.

Pse gjithë kjo forcë e gjithë kjo vendosmëri e Shotës? Pse? Përgjigjja është e thjeshtë – sepse motivimi, frymëzimi, nxitja e saj ka vetëm një emër: Dashuri – dashuri për familjen e fshatin e vet, dashuri për Drenicën e Kosovën, dashuri për shqiptarët e për Shqipërinë, dashuri për lirinë e, para së gjithash, dashuri për Azemin, për Azem Bejtë Galicën. E dashuria e saj i lëviz të gjithë kufijtë, edhe kufijtë e mundshëm, edhe ata të pamundshëm, madje edhe kufijtë gjinorë. E nëse kufijtë e saj shpirtërorë, mendorë, ndjenjorë, moralë nuk i mundi askush, kufijtë e saj fizikë, njerëzorë, i mundën plaga, sëmundja, skamja. Por, Shotë Galica, edhe në luftë me këta kufij, doli fitimtare dhe me fuqinë shpirtërore e morale bëri histori dhe u bë figurë historike me të cilën krenohet populli shqiptar. Ata bashkë, Azemi dhe Shota, bënë histori dhe ata bashkë u bënë figura historike që e rritën lavdinë historike të Kosovës dhe të gjithë popullit shqiptar.

 

*Ky shkrim u lexua sot në Konferencën shkencore “Veprimtaria atdhetare e Shotë Galicës” e organizuar nga Instituti Albanologjik në 90-vjetorin e vdekjes së Shotë Galicës.

[1] D’ann Campbell, Women in Combat: The world war II experience in the United States, Great Britain, Germany, and the Soviet Union, The Journal of Military History, vol.57, Lexington, f. 301-323, sipas Tonka Delić, Valentina Mataija, Uloga žena u Drugom svjetskom ratu, Essehist (Hrvatski povijesni portal), nr. 7, 2015, f. 98-104.

[2] Tonka Delić, Valentina Mataija, Uloga žena u Drugom svjetskom ratu, Essehist (Hrvatski povijesni portal), nr. 7, 2015, f. 98-104.

[3] Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, I, Tiranë, 2008, f. 751

[4] Judith Bellafere, The women’s Army corps: A Comemoration of World War II Service, U.S. Army Center of Military History, Washington D.C, 1993, f. 5, sipas Tonka Delić, Valentina Mataija, Uloga žena u Drugom svjetskom ratu, Essehist (Hrvatski povijesni portal), nr. 7, 2015, f. 98-104.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi do ta luajnë të shtunën…