Shpallen fituesit e çmimeve të orës letrare në Reçak, nisin pakënaqësitë

15 janar 2024 | 09:03

Në e sallën e Shtëpisë së Kulturës në Shtime mbrëmë është mbajtur Ora e Madhe Letrare për nder të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Ky është edicioni i parë që organizohet për “Ditët e Reçakut” dhe mëtohet të jetë tradicional. Në këtë mbrëmje poetike morën pjesë poetë nga Kosova dhe Shqipëria.

Këtë orë letrare e moderoi Dea Smaili, e cila në fillim të paraqitjes së saj, për fjalën e hapjes e ftoi kryetarin e komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili të pranishmëve u uroi mirëseardhje, duke i falënderuar për kontributin e tyre me krijimet poetike dhe pjesëmarrjen në takim.

Në emër të AKV “Dita” foli drejtori Abdyl Hajredini, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe tregoi për rëndësinë e kësaj ore letrare që do të jetë tradicionale. Prof. Hajredini ishte edhe organizator i kësaj mbrëmje poetike.

Poezitë e tyre i lexuan poetët: Imer Gllareva nga Drenasi, Hamdi Hysuka nga Mati, Arsim Hamiti nga Ferizaj, Bulza Hysenaj nga Shtimja, Emin Emini nga Fushë-Kosova, Nexhat Rexha nga Kamenica, Prend Buzhala nga Klina, Xheladin Mjeku nga Fushë-Kosova, Hazir Luta nga Rahoveci, Bedri Halimi nga Dragashi, Mendu Leka nga Ferizaj, Ajne Ibërhysaj nga Deçani, Dan Ibrahimi nga Prishtina, Rajmonda Qose nga Berati dhe Fatmir Heda nga Ferizaj.

Pasi poetët i lexuan të gjitha poezitë konkurruese, juria letrare, e përbërë nga prof. dr. Shyqri Galica, Zyrafete Shala dhe prof. asoc. dr. Merxhan Avdyli, njoftuan se në konkurs mbarëkombëtar kanë arritur 95 poezi, prej të cilave janë përzgjedhur 25 prej tyre për këtë natë finale si më të arriturat. Me këtë rast juria letrare Çmimin e Parë nuk e ka dhënë për autorin me shifër ngaqë nuk u është përmbajtur rregullave të konkursit, ndërkaq çmimi i dytë iu dha poezisë me titull “Me trastën e kujtimeve”, autor Izet Abdyli dhe çmimi i tretë poezisë me titull “Njëzet e pesë lulëkuqet çelën”, autor Hazir Luta.

Vendi i dytë është shpërblyer me 700 euro, kurse vendi i tretë me 500 euro.

Në fund të gjithë pjesëmarrësve për poezitë e arritura në konkurs iu dha nga një mirënjohje nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e udhëhequr nga drejtoresha Albana Fazliu.

Por, po mbrëmë, një prej poetëve konkurrues, Emin Z. Emini, në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shprehur kritika rreth këtij manifestimi. “Juria e konkursit çmimin e parë ia dha poezisë ‘Shtatë zonja dhe 29 të tjera për ta bërë një dashuri’, mirëpo ky çmim nuk i shkon autorit/autores shkaku i mospjesëmarrjes në orën letrare. U dashka penalizuar vlera letrare, artistike e estetike e poezisë fituese shkaku i mospjesëmarrjes së autorit/autores, apo konkursi vlerëson pjesëmarrjen në orën letrare?”, ka shprehur mendimin Emini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Krerët më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari…