Shpallen fituesit e garës “Eureka 5” për vitin 2018

26 mars 2018 | 17:30

Gjimnazi “Hasan Nahi” ka organizuar me sukses garën e inteligjencës “Eureka 5”, me ç’rast ka shpallur fituesit e kësaj gare.

Fituese e “Eureka 5” për  vitin 2018  është shpallur Era Syla nga Gjilani, shkolla “Selami Hallaçi”.

Vendin e dytë e ka zënë Florian Shabani nga Gjilani, shkolla “Skënderbeu”, ndërsa vendin e tretë e ka zënë Jeton Sllamniku nga Fushë Kosova, shkolla “Bajram Curri”.

Për këtë garë janë ndarë edhe 40 medalje bronzi, argjendi e ari. Ndërsa 250 finalistët kanë marrë certifikatë të veçantë.

Një nga garat domethënëse të organizuara nga Gjimnazi “Hasan Nahi”, është edhe Olimpiada e Vlerave Kombëtare – Atdhedashuria.

Nxënës të klasave të nënta nga gjithë vendi kanë shprehur atdhedashurinë në pikturë, ese, poezi, prozë.

Fituesit për Olimpiadën e vlerave kombëtare Atdhedashuria për 2018 janë:

  1. Vjosa Kadriu, shkolla “Fehmi Rama” nga Skenderaj
  2. Agnesa Selmani, shkolla “Pavarësia” nga Prishtina
  3. Yll Spanca, shkolla “SHMU1-Vushtrri” nga Vushtrria.

Fituesi për garën e Atdhedashurisë në kuadër të Gjimnazit “Hasan Nahi” është nxënësi Kumanovë Shala.

Zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, ka uruar Gjimnazin “Hasan Nahi” për rezultatet e arritura në garën e inteligjencës “Eureka 5” të organizuar për nxënësit e institucioneve të arsimit parauniversitar.

“Të dashur nxënës, ju jeni ardhmëria jonë, andaj për ju dhe të tjerët do të angazhohemi në vazhdimësi që dija aftësitë dhe shkathtësitë tuaja të avancohen në mënyrë që ti kontribuoni shoqërisë dhe shtetit tonë në përgjithësi.  Gjithashtu dua ta falënderoj edhe Gjimnazin ‘Hasan Nahi’ për iniciativën e marrë për këtë garë duke nxjerrë në pah nxënës me shkathtësi të dalluara”, ka thënë zëvendësministri Sahiti.

Drejtori i Gjimnazit “Hasan Nahi”, Bashkim Çmega, ka theksuar se ky sukses u përket i mësuesve, drejtorëve të shkollave fillore e drejtorive arsimore të qyteteve përkatëse.

Ai ka falënderuar të gjitha institucionet arsimore në Kosovë për mbështetjen e pakursyer.  “Buzëqeshja e nxënësve që shihet në fytyrat e tyre për të pritur një ndër çastet të paharruara për të cilën jemi mbledhur të gjithë ne është shpallja e rezultateve të garës kombëtare të dijes ‘Eureka 5’. Ne mendojmë se një garë e këtillë i motivon të rinjtë për ta sfiduar dijen dhe shkencën në nivel kombëtar”, është shprehur ai.

Çmega ka thënë se heronjtë e vërtetë të një vendi janë mësuesit dhe prindërit që edukojnë një brez të mirë.

Ndërkaq drejtori i Fondacionit Atmosfera, Hysen Odabashi, ka theksuar se ky fondacion me një përvojë 15- vjeçare ka synim arritjen një arsimi sa më cilësor. “Kemi jetuar me idealin se si të jemi sa më të dobishëm për njerëzit e Kosovës dhe jemi munduar të kemi një model të përshtatshëm arsimor, me vlera etike e morale”, ka thënë Odabashi.

Faza e parë e garës “Eureka 5”, u organizua më 16 dhjetor 2017, në 26 komuna në të njëjtën ditë dhe orë ku morën pjesë mbi 2000 nxënës të dalluar të klasave të IX nga mbarë Kosova.

Pas etapës së parë u zgjodhën 250 finalistë të cilët garuan më 24 mars 2018 në ambientin e Gjimnazit “Hasan Nahi” për etapën finale.  /Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i skuadrës së Prishtinës, Visar Bekaj, ka thënë se…