Shpallen të pafajshëm të akuzuarit në rastin e arratisjes së Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK

21 shkurt 2022 | 10:47

Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri janë shpallur të pafajshëm lidhur me akuzën për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) e tre të paraburgosurve, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, që si pacientë ishin duke u trajtuar aty.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Thaqi dhe Shatri lirohen nga akuza në mungesë të provave.


Sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve në rastin e arratisjes së Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet të shpallet aktgjykimi në rastin e rigjykimit ndaj të akuzuarave Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), e tre të paraburgosurve, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, që si pacientë ishin duke u trajtuar aty.

Seanca e fundit në këtë rast u mbajt më 16 shkurt, ku u dha fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, ky rast më parë është gjykuar nga gjykatësi Shashivar Hoti, por pasi ka ndërruar jetë, rasti ka kaluar tek gjykatësi Agim Kuçi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E.Th. për dy vepra penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumentit” dhe “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohet i pandehuri Thaqi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania ka ndryshuar dje listën e vendve me rrezikshmëri të…