Shpallen zgjedhjet e brendshme për pozicionet drejtuese në LV
Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për pozicionet drejtuese.
“Pas përfundimit të procesit zgjedhor në nivelin e parë organizativ, në pika, ku janë zgjedhur strukturat drejtuese të shtrira në lagje e fshatra, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme dhe në përputhje me Statutin dhe rregulloren e zgjedhjeve të brendshme, Lëvizja Vetëvendosje, nga sot, shpallë zgjedhjet e brendshme për nivelin e dytë dhe të tretë organizativ”, ka njoftuar Vetëvendosje.
Ky subjekt politik ka shtuar se niveli i tretë i zgjedhjeve është për kryetar, kryetare të Gruas kryetar të Rinisë së LV-së. Ndërsa niveli i dytë ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit të qendrës, kryetares të GLV në qendër dhe kryetarit të RLV në qendër.
“Komisioni zgjedhor i ad-hoc i qendrës (KZAQ) njofton të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra… të cilët janë të interesuar për të kandiduar për pozicionet e lartcekura që të paraqesin deklaratën e kandidaturës nga sot, 15 gusht deri më 23 gusht 2022. Kandidatët e interesuar për të kandiduar, deklaratën e kandidaturës për të gjitha pozitat dhe nivelet mund ta marrin në zyrën e qendrës dhe të njëjtën ta dorëzojnë te Komisioni zgjedhor i ad-hoc i qendrës (KZAQ), ashtu siç është e paraparë me Statutin dhe rregulloren e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka njoftuar Vetëvendosje.