Shpallet konkursi shpërblyes i manifestimit ‘Flaka e Janarit’ 2020

29 dhjetor 2019 | 12:18

Në Gjilan kanë filluar përgatitjet për manifestimin kulturor “Flaka e Janarit” 2020, aktivitet ky që mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, në nderim të heronjve, martirëve dhe dëshmorëve, të rënë në periudha të ndryshme historike, në rrugëtimin e gjatë për liri e mëvetësi kombëtare.

Komuna e Gjilanit ka shpallur edhe konkursin shpërblyes tradicional në art letrar, pamor, muzikor dhe dramatik, që përbëjnë katër shtyllat kryesore të këtij manifestimi unik, bashkë me akademinë tematike të “Flakës…”.

Konkursi letrar tradicional për tregim të shkurtër dhe poezi, ka për qëllim nxitjen dhe avancimin e vlerave letrare në të gjitha trevat etnike dhe kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët.

Konkursi (anonim) do të jetë i hapur deri më 11 janar 2020. Punimet e pa botuara dërgohen në tri kopje, të nënshkruar me shifër, në adresën: Komuna e Gjilanit, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe në adresën elektronike: [email protected]

Rezultatet e konkursit, si zakonisht do të shpallen në orën e madhe letrare “Pena e Flakës”.

Për tregim të shkurtër (deri në tri faqe), çmimi i parë ka vlerën 250 euro, çmimi i dytë 200, dhe çmimi i tretë 150 euro. Për poezi (deri në 50 vargje), çmimi i parë është 250 euro, çmimi i dytë 200 dhe çmimi i tretë 150 euro.

Kurse për ekspozitën kolektive mbarëkombëtare, që do të hapet në Galerinë e Qytetit, mund të konkurrojnë të gjithë të interesuarit, me një vepër, përmasat e së cilës nuk duhet të jenë më të mëdha se 120 cm.

Çmimi blerës për fondin e galerisë është 600 euro. Tri çmimet tjera do të jenë në vlerë prej 200 euro.

Punimet, jo më të vjetra se dy vite, teknikisht të përgatitura dhe të pa ekspozuara më parë, me tematikë të lirë, dorëzohen në Galerinë e Qytetit, gjatë orarit të punës, deri më 10 janar 2016.

Të drejtë pjesëmarrje kanë të krijuesit e të gjitha zhanreve të artit pamor, nga të gjitha trojet etnike.

Në artin dramatik “Talia e Flakës” do të përzgjidhen pesë shfaqje teatrale, me përfaqësim nga trevat mbarëkombëtare dhe autorë shqiptarë.

“Talia e Flakës” do të mbahet për pesë net me radhë, nga data 26 deri më 26 janar 2020.

Në Festivalin mbarëkombëtar të këngës popullore “Fest Flaka” të drejtë konkurrimi kanë interpretuesit e këngës popullore nga të gjitha trevat shqiptare, por ata do t`i nënshtrohen një audicioni para një jurie profesionale, e cila do t`i përzgjedh garuesit për tri çmimet që ndan organizatori.

Vendi i parë 500 euro, i dyti 300, ndërsa vendi i tretë do të shpërblehet me 200 euro.

“Flaka e Janarit’ është bërë tashme identitet kulturor i Gjilanit, që e ka kthyer këtë qytet të Anamoravës dhe Kosovës në një kryeqendër të kulturës mbarëkombëtare.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Hashim Thaçi, ka përkujtuar heroin Mehë Uka,…