Shpallet tenderi mbi 46.6 milionë euro për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Pejë, segmenti Dollc – Zahaq
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shpallur tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmenti Dollc – Zahaq. Vlera e parashikuar për katër llote të këtij tenderi është 45,690,000 euro.
Njoftimi për kontratë për tenderin që planifikohet të zgjas tri vjet apo 36 muaj është publikuar më 04.07.2024. Ndërsa më 05.02.2024 në platformën e-prokurimi ishte publikuar njoftimi paraprak.
Për shpalljen e tenderit mbi 40 milionë euro është përdorur procedura e hapur ndërsa kriter për dhënie të kontratës është çmimi më i ulët.
Sipas dosjes së tenderit, vlera e parashikuar për Lot 1 është 10,687,000 euro, për Lot 2 është 11,970,000 euro, për Lot 3 – 12,515,000 euro dhe për Lot 4 – 10,518,000 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve është 29.07.2024, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.
Edhe për një segment tjetër të rrugës Prishtinë – Pejë, më 25.03.2024 ishte nënshkruar kontrata. Për segmentin Kijevë – Dollc ishte nënshkruar kontrata në vlerë 21 milionë euro.
Vitin e kaluar, më 22.11.2023, Qeveria e Kosovës kishte miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë – Zahaq, Segmenti Kijevë – Dollc, Zona Kadastrale: Kijevë, Komuna Malishevë dhe Zonat Kadastrale: Çabiq, Zabërgjë, Gllarevë, Dresnik, Gremnik dhe Dolle të Komunës së Klinës.