Shpaloset projekti i ri i arenës ‘Zahir Pajaziti’, mbulojë e stadiumit dhe rritje e kapacitetit të ulëseve
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorin e Sportit, Pajtim Balaj, i kanë pritur të mërkurën në takim drejtuesit e klubit të futbollit Llapi, të udhëhequr nga trajneri Tahir Batatina, drejtori sportiv, Mentor Zhdrella, sekretari Muhamet Rexhepi dhe disa futbollistë të prirë nga kapiteni Benjamin Emini.
Me këtë rast, Bulliqi ka përgëzuar drejtuesit dhe futbollistët e klubit për paraqitjet dhe ndeshjet e mira që i kanë zhvilluar në këtë fillim kampionati.
Ndërsa KF Llapi ka njoftuar se qëllim i takimit me Bulliqin ka qenë shpalosja e projektit të ri të Arenës “Zahir Pajaziti” ku parashihet vendosja e mbulojës së stadiumit, rritja e kapacitetit të ulëseve dhe ndërtimi i tribunës lindore.
Në këtë kontekst, kryetari Bulliqi është zotuar se së bashku me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport do ta mbështesin që Arena “Zahir Pajaziti” të merr pamje edhe më të bukur.
“U zotova para tyre që si komunë do ta mbështesim këtë projekt dhe do të kërkojmë edhe nga ana e Ministrisë së Sportit mbështetjen e këtij projekti, që kap vlerën e 1 milion eurove. Arena ‘Zahir Pajaziti’ do të merr pamje të mrekullueshme pas investimit”, ka njoftuar Bulliqi.