SHPALOSJE KUJTIMESH TË 11 MARSIT TË VITIT 1981

11 mars 2019 | 16:19

Izet Abdyli

Mbase ishte një nga ditët e zakonshme të vitit. Ende ftohtësia e acarit të dimrit ishte e pranishme. Me cimerat e mi në konviktin nr. 4 po pinim qaj mali dhe po dëgjonim këngë patriotike nga kasetofoni që e kisha sjellë nga shtëpia. Po bisedonim për çështje të zakonshme të aktualitetit, gjendjen e rëndë në Kosovë si pasojë e papunësisë, ngritjen e çmimeve, problemet sociale, kushtet e studentëve etj. Ishin pra një nga bisedat e zakonshme që bënim pothuajse çdo natë. Kishte rastisur që atë natë kishim mysafir dhëndrin tim Jonuzin i cili diku afër orës 20:00 kërkoi leje ngase do të udhëtonte për në shtëpi dhe kishte autobusin e fundit. Si e do trendi dola ta përcjellë deri te mensa e studentëve. Sapo dolëm u dëgjua një zhurme jo e zakonshme, lëvizje të studentëve në grupe dhe papritur takoi Ismail Sylën (shok i gjeneratës së gjimnazit) i cili me thotë: Izet u kall, dhe menjëherë kuptova nëntekstin e kësaj fjale se kishte shpërthyer demonstrata e cila të thuash ishte e pritur, ngase kishte kohë që ndër studentë vlonin pakënaqësitë dhe pritej vetëm momenti kur të shpërthenin me ndonjë revoltë. Me të shpejt përshëndetemi me mikun duke sugjeruar të këtë kujdes gjatë rrugës dhe kthehem në konvikt për t’i njoftuar cimerat që të dalin se diçka po vlonte në oborrin e konvikteve. Nisem drejt barakës 3, ku takoi shokun tim të gjeneratës nga shkolla fillore Ramë Prenkun, dhe aty mësojmë se në mensë ka shpërthyer revolta e studentëve të cilët ia kanë mësyer drejt qytetit me kërkesat për kushte më të mira për studentë.

Turma sa vjen e rritet dhe kërkesat përveç kushteve rriten edhe në kërkesa politike për status politik të Kosovës, për grabitjen që i bëhen ekonomisë së Kosovës, për shqiptarët që mbahen në burgje. Pasi qe turma veç fillon të rritet del kërkesa nga organizatorët që të nisemi drejt qytetit (kishte kaluar diku ora 21:00), por nen mensën e studentëve na pret kordoni i policëve të cilët kanë bllokuar rrugën. Një ndjenjë e papërshkrueshme është në ato momente kur sheh tërë atë turmë të gatshme për t’u sakrifikuar pavarësisht masave represive që i kërcënojnë. Vijnë një sërë politikanësh për kinse ta qetësuar turmën dhe për të biseduar, madje edhe me taktizime për t’u tërhequr në brendi të Qendrës por vendosmëria e studentëve është të marshojnë drejt qytetit. Në trafon e vogël që gjendej nen mensë shquhet një djalosh me mjekër (Ali Lajçi) ishte siç mësuam më vonë) i cili i drejtohet turmës me një fjalim atdhedashurie dhe turma ndezët edhe më shumë.

Fillojnë brohoritjet: “Duam kushte”, “Lironi shokët”, “Trepça punon Beogradi ndërton”, “Duam liri”, etj. Të kota janë përpjekjet e disa politikanëve për t’ju drejtuar turmës ata refuzohen kategorikisht. Kalon dhe mesnata dhe studentët janë të vendosur për të marshuar drejt qytetit. Diku rreth orës 3:00 të mëngjesit bëhet përpjekje për shpërthim të kordonit të policisë, por aty pason gjuajtja me gaz lotsjellës nga ana e policisë dhe u detyruam të tërhiqemi lart drejt palestrës së sporteve.

Ishte përvoja e parë me gazin lotsjellës e ndonjëri “hëngri” edhe ndonjë shkop gome, gjithashtu kishte edhe të lënduar. Të stërlodhur pas një qëndrimi disa orësh në rrugë diku rreth orës 4:00 të mëngjesit u kthyem në konvikte.

Të nesërmen shkuam si zakonisht në ligjërata ku mungonin shumë studentë ndërsa ata që i njoftonim për ndodhinë e mbrëmjes së kaluar shprehnin habi ngase asnjë informatë nuk ishte dhënë në media, madje as shtypi ditor nuk dha asnjë lajm. Sidoqoftë sinjali i parë i pakënaqësisë ishte dhënë dhe revolta e popullit do të shpërthej edhe me fuqishëm më 26 mars në Prishtinë dhe më 1 e 2 prill në të gjitha qytetet e Kosovës. Këto demonstrata ishin goditja e parë që i tundi themelet e krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi dhe ngjarjet e mëpastajme që rrodhen dëshmuan se ato demonstrata ishin të drejta dhe në vitet ‘90-ta kulmuan me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

(Autori ishte pjesëmarrës i këtyre demonstratave si student)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka vazhduar me nënshkrimin e…