“Shpata e Artë”, trajnohen KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës
Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja, ai i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX-i) dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitjen e përbashkët, “Shpata e Artë 2024”, në Kampin Vrelo (Prishtinë) deri më 25 nëntor 2024.
Stërvitja do të testojë zbatimin e procedurave të menaxhimit të krizave, në skenarë të ndryshëm sigurie. Ky trajnim sipas KFOR-it, do të përfshijë rreth 600 personel dhe asete në të gjithë zonën e stërvitjes në Prishtinë, si dhe në rrethinën e saj dhe përgjatë rrugëve kryesore. Banorët vendas mund të presin kështu një rritje të përkohshme të trafikut rrugor. “‘Shpata e Artë 2024’ është një tjetër dëshmi e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës që punojnë së bashku, në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal”, ka njoftuar KFOR-i.