Shpellat në komunën e Ulqinit

10 shkurt 2022 | 12:12

Gazmend Çitaku

Për Ulqinin janë bërë shumë vështrime turistike, letrare, historike mirëpo për shpella informacionet janë shumë të pakta.

Që në fëmijërinë e hershme informatat e para për shpellat ishin ato duke lexuar librat si Shpella e Piratëve apo Udhëtim në qendër të tokës. Pastaj për shpella çka dinim ishin informatat nga shkolla si  shpella e Gadimes, ajo e Postojnës por edhe e Altamirës, pëshpëritnim për Shpellën e Dragobisë  si dhe atë të Azem Galicës.

Shpellat janë zgavra apo hapësira natyrore më të mëdha se 5m të krijuara nga vetë natyra. Ato mund të jenë formash dhe madhësish të ndryshme. Me korridore, galeri dhe dekore të krijuara nga natyra në formë të stalagmiteve (nga toka lart) dhe stalagtiteve (nga tavani teposhtë). Shpella mund të jenë të banueshme nga kafshë të egra por edhe nga shpendë të ndryshëm si lakuriqi i natës, pëllumbat etj. Në parahistori shpellat kanë qenë vendbanime të njerëzve të parë andaj në muret e tyre mund të gjejmë edhe krijimet e para artistike të njerëzve primitiv.

No description available.

Speleologjia ose shkenca mbi shpellat me të drejtë mbanë këtë emër sepse hulumtimi i shpellave paraqet një sfidë dhe kërkon jo vetëm shkathtësi alpine por edhe njohuri të biologjisë, gjeologjisë, kimisë, meteorologjisë, hartografisë si dhe kërkon analizë dhe përcjelljen e rrugëve dhe ujërave nëntokësor.

Më e mira që ofron speleologjia është fakti që kjo është një disiplinë shkencore-sportive. Kërkon përgatitje fizike, psikofizike dhe shkathtësi alpiniste për shkak të sfidave që paraqiten gjatë hulumtimit të shpellave.

No description available.

Autori i këtyre rreshtave gjatë periudhës 2021-2022 vetëm në territorin e Ulqinit ka hyrë në gjashtë shpella të vogla, të mesme dhe të mëdha. Prej tyre një në Ulqin-qytet dhe pesë tjera në rajonin e Shasit. Shasit ka një territor shkëmbor dhe sipas dr. Maksut Haxhibrahimit në këtë trevë ai ka arrit të evidentojë dymbëdhjetë shpella.

Po i numërojmë: Shpella Dikë, shpella e Hallmanes, shpella e Pëllumbave, shpella e Linates, shpella Shqits, shpella e Gjakut, shpella e Kazanit, shpella e Mark Dushit, shpella e Grops Arre, shpella Plakë, shpella e Lares,shpella e Kuqe. E përmend edhe një shpella e Dushes por mundtë jetë e njëjta si ajo që quhet e Mark Dushit.

Në Ulqin: shpella e Kalasë, shpella nën Fner, Shpella e Qelbët, Shpella e pllumave (te Punta e trashë) ndërsa po sipas të dhënave që na sjell dr. Maksut Haxhibrahimi numërojmë gjithsejtë 42 shpella të shpërndara në komunën e Ulqinit. Ato me siguri se në numër mund të jenë edhe më shumë mirëpo sipas informacioneve të mbledhura dhe konsultës së literaturës a që kemi arritur të evidentojmë.

No description available.

Shpella e madhe e Kalasë gjendet nën bedenet e Kalasë së Ulqinit në vendin e quajtur Molja e madhe. Hyrja në këtë shpellë është e lehtë pasi harku hyrës është mjaftë i madh. Vërehen mbeturina të mëdha para hyrjes dhe pas një ecje prej 6-7metra arrin në një pikë të re hyrëse e cila dikur ka ndarë shpellën në dy galeri e që pastaj në fund do të jenë bashkuar. Për këtë shpellë, banorët e kalasë thonin, se diku lart ke shtëpitë e Nimanbegëve hynin pulat dhe dilni këtu poshtë. Sapo u futëm në 10 metrat e para terri ishte mjaftë i madh kështu që u detyruam që të ndezim llambat për ndriçim nga tavani i shpellës ishte mjaftë i lartë dhe duke ditë efektin e hapësirës së mbyllur pika më e lartë duhej të ishte diku 15-20. Atë çka mundëm të vërejmë në hyrje për shkak të ujërave që kullonin nëpër shkëmbinj ose për shkak të dridhjeve të tokës u vërenin shkëputje të mëdha të copave shkëmbore nga tavani e që paraqisnin një rrezik potencial për një të ardhme të afërme. Duke dashtë që të vërtetojmë a ka qarkullim ajri pasi që ndezim letrën e gazetës ajo vetëm fiket në vend duke na bërë me dije se brenda kësaj shpelle nuk ka rrymim ajri. Me qenë se jashtë ishte mjaftë ftohtë sapo u futëm brenda xhamat e syzeve menjëherë u avulluan duke bërë me dije ndryshimin e temperaturës e që aty brenda ishte përafërsish 15°C. Ecëm në terrin e shpellës për nja 30-40m deri sa arritëm në pikën përfundimtare shkëmbore ajo që më bëri përshtypje ishte se në fund të shpellës kishte gurë të lëmuar si dëshmi se dikur uji është futur pa pengesë në brendësinë e kësaj shpelle. Duke sjellë në mendje fjalët  e Pavle Mijoviqit se anijet e vogla ulqinake me shpejtësi ikin dhe u strehonin në shpellën poshtë kalasë shumë dëshiroj të jetë e vërtetë por që sot nuk ishte e mundur të gjenim këtë shteg shpellor sepse ishte i bllokuar nga të gjitha anët. Në ekspeditën time në shpellën e madhe të Kalasë më shoqëroi Muhamed Kollari i cili gjithmonë është i gatshëm për aventura ambientaliste.

Shpella Plakë-Shas – Në Janar të vitit 2021 gjatë një ekspedite ambientaliste në Shas me miqtë e mi Amir Taganin, Muho Dushkun dhe Shefqet Lucën, pasi që bëmë vizita të disa pikave më interesante të Shasit  mbërritëm në një vend që dukej se do të jetë interesante. Morëm krahun e djathtë dhe mes shkurreve u futëm në një luginë ku të bënte përshtypje se po futesh brenda një kalaje. Por, jo. Brenda kësaj shtohere natyrore pranë një lisi të vjetër me plot myshqe e kërpudha u shfaq një hyrje shkëmbore. Miqtë tregojnë se kjo shpellë quhet Shpella Plakë. Së pari lirohemi nga çanta dhe gjërat tjera përcjellëse që kishim marrë me vete dhe unë nxjerr metrin dhe filloj të bëj matjet që mendoj se janë të vlefshme. Hyrja e kësaj shpelle kishte dy volta prej të cilave e para kishte një lartësi prej 1.1m kurse ajo e dyta 2m. Diametri hyrës ishte 5m kurse deri në pjesën e e fundit të murit kishte 5 metra. Në qendër tavani shkonte në lartësi deri 7m. Muret në brendësi ishin të lëmuara, natyrale, dhe nuk vërejtëm ndonjë shenjë jete brenda kësaj shpelle as të shpendëve të ndryshëm e as të ndonjë kafshe. Sipas asaj që pamë në vend ishte se deri vonë ishte shfrytëzuar për strehimin e bagëtive të ndryshme.

Shpella në Groparrëz –  Unë e pranoj që nuk jam një speleolog por përveç dëshirës së madhe as mjetet themelore për të hyrë në një shpellë nuk i kam. Futja në këtë shpellë na la pa fjalë si mua ashtu edhe mikun tim Muho Dushku sepse nuk prisnim që të ishte e përmasave të tilla. Në fillim hyrja shumë e vogël porsi zgavër ku u deshtë që të zvarritemi disa metra e pastaj para nesh shfaqet volta e parë hyrëse drejt galerisë së parë të madhe. Kjo galeri ishte shumë e madhe dhe prej lart shihej një stalagtit me diametër një metër por që fundi ishte i thyer nga ndikimi i kushteve të ndryshme natyrore. Duke qenë se kjo shpellë një kohë të gjatë nuk është ditur se ku ndodhet dhe vetëm falë rastësisë u gjet hyrja përsëri. Me gjithë krenari them se unë dhe Muho ishim të parët që kemi hyrë brenda saj kush e di se pas sa kohe. Ne duke mos qenë të vetëdijshëm për madhësinë me vete kishim vetëm nga një llambë dore të vogël dhe telefonat celular me çka bëmë edhe fotografitë. Galeria e parë e madhe nga dyshemeja e deri në pikën më të lartë të tavanit i kishte afro 15m. Në gjysmën e galerisë në anën e majtë vërehej një koridor që çonte më në brendi të shpellës kurse në anën e djathtë gjithashtu kishte dalje tjetër por që ne së pari vendosëm të eksplorojmë anën e majtë. Stalagmite e stalagtite përplot, të vogël, të mëdhenj identifikoj dy pak më brenda të cilët ishin gati të bashkohen dhe unë menjëherë i quajta Romeo dhe Gjulieta.

No description available.

Koridori i anës së majtë çonte në drejtim të brendësisë dhe ne ashtu në mënyrë primitive ia arritëm që të ulemi në nivel diku 30m dhe koridori vazhdonte ende teposhtë mirëpo ne duke qenë të vetëdijshëm se nuk kemi pajisje vendosëm të ndalojmë në atë pikë pasi që ndriçimin nuk e kishim adekuat dhe toka e rrëshqitshme. Atëherë marrim një gurë dhe e hedhim teposhtë duke dëgjuar rënien e tij edhe nja 20m tjera. Duke u ngjitur lart ngadalë bëjmë fotografi të dekoreve të shpellës që ishin shumë mbresëlënëse. Arrijmë në galerinë kryesore dhe drejtohemi anës së djathtë ku ishte një galeri tjetër a madhe në të cilën në mesin e saj ishte një stalagmit i cili i gjasonte atij të gjetur në Shpellën Nakanovo në Kroaci e që arkeologët atje kishin arritur që të gjejnë edhe copa qeramike ilire me çka vërtetonin se ajo shpellë atje kishte shërbyer për qëllime rituali. Edhe unë mundohesha të gjeja ndonjë gjë por që pa mjete dhe në sy të lirë nuk mundëm të vërejmë asgjë që të na e tërhiqte vëmendjen. Vetëm kollitja e parë na e bëri me dije se ajri në shpellë ishte rralluar kështu që vendosëm që të dalim. Bëmë edhe disa fotografi për kujtim dhe kjo ishte me të vërtetë diçka që kurrë nuk e kisha pritë. Kur dolëm jashtë koha kishte fluturuar dhe miqtë tanë që na pritnin ishin brengosur shumë. Ne të dy nën presionin e përshtypjeve super pozitive vendosëm që këtë zbulim mos ta bëjmë publike për shkak të atyre njerëzve të papërgjegjshëm që kush e di se çka do të mund të bënin aty.

Në ekspeditat e mëvonshme kam hyrë edhe në Shpellën Dik dhe në dy shpella tjera por përshtypjet më shumë ishin thjeshtë pushtuese se sa impresionuese. Por, fakti se në gjithë komunën e Ulqinit gjithsejtë janë të identifikuara 42 shpella dhe deri te ky numër vijmë falë angazhimit të dr. Maksut Haxhibrahimit i cili i ka mbledh këto speleonime kurse unë në terren vizitova gjashtë prej tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ngjarjet që ndodhin në shtëpinë më të famshme në Shqipëri…